Bllokimi i llogarive në Telekom, rrezikohen pagat për punëtorët dhe investimet
Biznes
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës rrezikon punëtorët e kësaj kompanie publike të mbesin pa paga. Krahas këtij ngërçi financiar, mund të ndalen edhe investimet e planifikuara në Telekom. Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Telekom, Lamih Balaj për KosovaPress. Telekomit të Kosovës i janë bllokuar të enjten pasdite llogaritë bankare, pas vendimit të Gjykatës Komerciale lidhur me borxhin prej 5.7 milionë euro ndaj Z-Mobile.

Kryetari i kësaj sindikate, Balaj ka kërkuar nga institucionet përkatëse, në këtë rast Ministria e Ekonomisë dhe kryeministri që të marrin masa për gjendjen e rëndë të krijuar në Telekom. Balaj ka paralajmëruar se do të organizojnë edhe protesta për zhbllokimin e llogarive. Ndërsa, menaxhmenti i Telekomit ka reguar me anë të një komunikate se ‘përmbaruesi Irfan Kërçagu vazhdon veprën e filluar nga përmbaruesi i shkarkuar Ilir Mulhaxha. Telekomi kërkon edhe shkarkimin e Irfan Kërçagut’.

Ai ka një apel për institucionet e Kosovës për të gjetur siç thotë një zgjidhje për Telekomin.

Balaj dyshon se mbyllja e llogarive bankare ka ndodhur në bashkëpunim mes kompanisë ‘Z-mobile’ me Gjykatën Komerciale.

Në komunikatën e menaxhmenit të Telekomit thuhet se përmbaruesi Irfan Kërçagu vazhdon veprën e filluar nga përmbaruesi i shkarkuar Ilir Mulhaxha, Telekomi kërkon edhe shkarkimin e Irfan Kërçagut.

“Dje, me datë 29.02.2024, ndodhi ajo që Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës sh.a. e kishte paralajmëruar dhjetë ditë më parë në konferencën për media dhe në njoftimin me titull, "Thirrje për veprime urgjente për parandalim të krimit financiar!”. Telekomi i Kosovës u njoftua nga Banka për bllokim të llogarive nga Përmbaruesi Privat Irfan KERÇAGU për subjektin TELEKOMI I KOSOVËS SH.A. Nrb 70280741, lënda P.nr 977/23, për shumën 5,814,196.29 €”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se përkundër argumenteve të fuqishme të Telekomit të Kosovës sh.a, të njohura tashmë për publikun, ende po vazhdon drama me shumë akte, e përvetësimit të jashtëligjshëm të parasë publike, e cila përpos grykësisë dhe papërgjegjësisë, shpërfaqë edhe fuqinë e akterëve të përfshirë në këtë veprimtari, për të sfiduar tashmë krejtësisht hapur sistemin e drejtësisë dhe ligjin.

"Edhe pse Dhoma e Shkallës së Dytë pranë Gjykatës Komerciale, tri herë i ka kthyer në rigjykim vendimet e Dhomës së Shkallës së Parë për të njëjtin rast, si pasojë e shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe asaj përmbarimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.Edhe pse, Vendimi KPPP.nr.2074/23, i datës 30.11.2023, në paragrafin e parafundit në faqen 5, kërkon shprehimisht nga Dhoma e Shkallës së Parë që në rigjykim të angazhojë një institucion ose kompani të licencuar të auditimit për të hartuar ekspertizën financiare që do të definojë obligimet e sakta të palëve", thuhet në njoftim.

Për më tepër Telekomi i Kosovës sh.a, ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të llogarive dhe siç thuhet do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike, të cilat njihen me legjislacionin e vendit 'për të ndalur në kohë këtë përpjekje të jashtëligjshme për grabitjen e parasë publike, që rrezikon të rrënojë rezultatet e arritura këto tri vite, si investimet në modernizimin e rrjetit mobil dhe rrjetit fiks, marrëveshjet e sukseshme biznesore, të cilat po rrënojnë monopolin në tregun e telekomunikacionit, i cili në pjesën më të madhe kontrollohej nga bizneset e dyshimta dhe me paratë e interesave nga vende që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë'. /A. Drenica

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
138
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024