Romano: Një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal
Lajme
Lexohet për: 15 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Giampiero Romano, gjenerali italian dhe kreu i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Serbi, në një intervistë për European Western Balkans, ka thënë se qëndrueshmëria në Kosovë është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht pas ngjarjeve të vitit 2023 në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

Për bashkëpunimin e NATO-s me Serbinë dhe situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, EWB zhvilloi një intervistë me shefin e Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, gjeneral brigade Giampiero Romano.

European Western Balkans: Si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor?

Giampiero Romano: Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, siç pasqyrohet në Konceptin Strategjik të NATO-s, të miratuar në Samitin e Madridit 2022. Kjo pikë është riafirmuar në takimet e njëpasnjëshme të nivelit të lartë, përfshirë në Samitin e Vilniusit korrikun e kaluar, si dhe në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel në nëntor të vitit 2023 dhe në takimin e fundit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel këtë muaj shkurt. Këtë e theksoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në rajon në muajin nëntor, dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, gjatë vizitës së fundit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në përgjithësi, rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990. Megjithatë, ka ende arsye për shqetësim. Në Kosovë situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne pamë rritje të tensioneve dhe dhunës vitin e kaluar, duke përfshirë sulmet e paprovokuara dhe të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it majin e kaluar, dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjska shtatorin e kaluar. Gjithashtu nuk ka pasur përparim të vërtetë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe duhet të riangazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, ne shohim tensione në rritje, retorikë përçarëse dhe kërcënime separatiste, të cilat rrezikojnë reformat dhe minojnë stabilitetin. Ky trend është shqetësues dhe i papranueshëm. Ai bie ndesh me dakordimin dhe frymën e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit duhet të respektohet dhe NATO vazhdon të mbështesë plotësisht punën e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë përpjekjet reformuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe rrugën euroatlantike. Ne kemi nevojë për një angazhim të vërtetë dhe një qasje konstruktive nga të gjithë liderët e Bosnjë dhe Hercegovinës për të siguruar ruajtjen dhe funksionimin e strukturave të unifikuara.

Siç tha Sekretari i Përgjithshëm gjatë vizitës së tij në rajon, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit. Një Ballkan Perëndimor paqësor dhe i qëndrueshëm është i rëndësishëm për sigurinë tonë dhe për stabilitetin në të gjithë zonën euro-atlantike. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj, duke përfshirë misionin tonë të KFOR-it në Kosovë, dhe Zyrën tonë Ndërlidhëse Ushtarake në Beograd, dhe Shtabin e NATO-s në Sarajevë.

EWB: Në shkurt bëhen dy vjet që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës. Si ka ndikuar ajo luftë në arkitekturën e sigurisë në rajon dhe cilat janë sfidat kryesore për rajonin?

GR: Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 – pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014 – ka shkatërruar paqen në zonën euro-atlantike dhe ka ndryshuar rëndë mjedisin e sigurisë. NATO dënon në termat më të ashpër të mundshëm luftën brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, një vend i pavarur dhe demokratik dhe një partner i ngushtë i NATO-s.

Për më shumë se 30 vjet, NATO u përpoq të ndërtonte një partneritet konstruktiv me Rusinë, duke zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin praktik në fushat me interes të përbashkët. Pavarësisht kësaj, Rusia ka shkelur vazhdimisht normat dhe parimet që mbështesin një rend të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë evropiane, dhe ka demonstruar një model sjelljeje gjithnjë e më agresive veçanërisht gjatë dekadës së fundit.

Ndikimi i luftës brutale të agresionit të Rusisë është i gjerë dhe ndihet në shumë rajone. Shqetësimet për ndikimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë intensifikuar që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska. Kjo është arsyeja pse NATO do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin tonë me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë dhe kundër ndikimit keqdashës, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga akterët shtetërorë dhe joshtetërorë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. Fatkeqësisht, ne e shohim rregullisht Rusinë duke bërë të kundërtën.

Në Samitin e NATO-s në Vilnius, aleatët riafirmuan vendosmërinë e NATO-s për të rritur dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik në Ballkanin Perëndimor. Vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik. Sekretari i Përgjithshëm dhe Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksuan rëndësinë e progresit të vazhdueshëm në këtë drejtim gjatë vizitave të tyre përkatëse në rajon. Vazhdimi i forcimit të mbështetjes sonë për partnerët do të jetë gjithashtu një prioritet kyç ndërsa përgatitemi për Samitin e Uashingtonit këtë korrik për të shënuar 75-vjetorin e NATO-s.

EWB: Si reagon NATO ndaj vendimit të SHBA-së, një anëtare e rëndësishme e NATO-s, për të miratuar shitjen e Javelins në Kosovë? Çfarë mesazhi i dërgon kjo Beogradit zyrtar?

GR: Këto janë vendime për të cilat duhet komentuar institucionet në Kosovë dhe SHBA. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis paqësor dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). KFOR-i ka një qëndrim fleksibël në terren, i cili rregullohet rregullisht në bazë të vlerësimit tonë të situatës së sigurisë. Kjo na mundëson të përballemi me çdo sfidë që mund të lindë dhe të kontribuojmë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe në mbarë rajonin.

EWB: Viti i kaluar është shënuar me sfida dhe kërcënime të shumta të sigurisë në Kosovë. A është KFOR-i ende një garantues i paqes dhe stabilitetit në Kosovë?

GR: Një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për sigurinë tonë. Për më shumë se dy dekada, NATO ka kontribuar për një Kosovë paqësore dhe stabile. Mandati i OKB-së për misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it është i pandryshuar. Ne vazhdojmë të mbështesim një mjedis të qetë dhe të sigurt për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes.

Majin e kaluar, ne pamë dhunë kundër misionit tonë paqeruajtës të KFOR-it, duke lënë 93 trupa të NATO-s të plagosur, disa në gjendje të rëndë. Në muajin shtator, ne pamë një shpërthim tjetër të dhunës së rëndë kundër Policisë së Kosovës në Banjskë. Kjo është e papranueshme. Duhet të vërtetohen faktet dhe autorët të dalin para drejtësisë.

Që nga maji i kaluar, ne kemi rritur praninë e KFOR-it në veri të Kosovës, me dislokim të forcave rezervë dhe patrullime shtesë. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas mbetet në kontakt me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, dhe me përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, OKB-në dhe komunitetin ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë, Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Ne mirëpresim hapat e fundit pozitivë për targat dhe zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë. Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

EWB: Si e vlerësoni nivelin e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe autoriteteve në Beograd? Në cilat fusha bashkëpunimi është më i afërt?

GR: Serbia është një partner afatgjatë i NATO-s që nga viti 2006, kur Serbia iu bashkua Partneritetit për Paqe të NATO-s. Për më shumë se 17 vjet, Serbia dhe NATO kanë zgjeruar bashkëpunimin për një sërë çështjesh dhe kanë punuar së bashku për të promovuar reformat, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në zonën më të gjerë Euro-Atlantike. Roli im si shef i zyrës së NATO-s në Beograd ndihmon në forcimin e bashkëpunimit tonë, nga i cili përfitojnë NATO dhe Serbia.

Partneriteti ynë është krijuar për t'iu përshtatur nevojave të Serbisë dhe interesave të sigurisë, në respekt të plotë të politikës së deklaruar të Serbisë për neutralitet ushtarak. Ne bashkëpunojmë në shumë nivele të ndryshme dhe fusha politike, ushtarake dhe shkencore. Kemi një komunikim të mirë-krijuar, përfshirë edhe në nivelin më të lartë politik, me kontakte të rregullta mes Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Gjatë vizitës së tij në Beograd nëntorin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti Vuçiç diskutuan për rifillimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin tonë praktik, Serbia mund të zgjedhë nga mbi 1600 aktivitete të ndryshme në listën tonë të partneritetit. Këto aktivitete përfshijnë edukimin, trajnimin dhe ngjarje të tjera, të cilat plotësojnë nevojat specifike të vendeve partnere.

Përveç kësaj, që nga viti 2007, Serbia është angazhuar në mënyrë aktive në Programin e NATO-s, Shkenca për Paqe dhe Siguri, në fusha të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e energjisë dhe mjedisit, teknologjitë e avancuara, mbrojtjen kibernetike dhe kundër-terrorizmin. Sekretari i Përgjithshëm pa disa shembuj të projekteve të fundit në vizitën e tij në Beograd. Disa shembuj praktikë përfshijnë DEXTER - një projekt për të krijuar sisteme për zbulimin e hershëm të eksplozivëve dhe armëve të zjarrit në një mjedis të tranzitit masiv - dhe SP4LIFE - për të krijuar sisteme të zbulimit të hershëm kundër sulmeve terroriste dhe aksidenteve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore. Një shembull tjetër është zhvillimi i sistemeve më të qëndrueshme të ruajtjes së energjisë për të ulur koston dhe çështjet e sigurisë të teknologjisë së litium-jonit dhe përdorimin e biokarburanteve si një zgjidhje kyçe në të ardhmen e energjisë së rinovueshme me aplikime ushtarake dhe civile.

Ky program ka bashkuar shumë shkencëtarë nga NATO dhe Serbia gjatë viteve për të shkëmbyer përvoja dhe për të ndjekur përparime teknologjike dhe shkencore. Shumë laboratorë në Serbi janë pajisur falë këtyre projekteve dhe tani shkencëtarët, mendjet kureshtare nga Serbia mund të punojnë së bashku për të ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të sigurt.

Gjithashtu NATO dhe Serbia bëjnë shumë së bashku në fushën e trajnimit ushtarak. Kjo i ndihmon Forcat e Armatosura Serbe të kontribuojnë edhe më efektivisht në operacionet paqeruajtëse të udhëhequra nga OKB dhe BE, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare për të gjithë.

EWB: A pret NATO që autoritetet në Serbi të theksojnë dhe promovojnë bashkëpunimin me NATO-n më shumë sesa kanë bërë deri tani?

GR: NATO dhe Serbia kanë një bazë gjithëpërfshirëse dhe solide mbi të cilën mund të çojmë përpara bashkëpunimin tonë dhe ka një hapësirë për të bërë më shumë për t'i komunikuar aktivitetet tona të përbashkëta popullatës serbe në një mënyrë transparente dhe faktike.

Serbia ka marrë një vendim sovran për të zyrtarizuar marrëdhëniet e saj me NATO-n, përmes një partneriteti të përshtatur të bazuar në dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik, në respekt të plotë të politikës së deklaruar të neutralitetit ushtarak. Kjo është ajo që mbështet të gjitha përpjekjet tona të komunikimit dhe ajo që ne do të vazhdojmë të theksojmë në të gjitha angazhimet tona me audiencën serbe. Për ne është shumë e rëndësishme që të informojmë publikun për bashkëpunimin tonë, pasi kjo është reciprokisht e dobishme si për NATO-n ashtu edhe për Serbinë dhe ka një efekt të drejtpërdrejtë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale në zonën euroatlantike.

Ne kemi bërë një rrugë të gjatë që nga viti 2006, kur Serbia iu bashkua Partneritetit për Paqe, dhe jemi të gatshëm ta çojmë partneritetin tonë përpara, në përputhje me ritmin dhe shtrirjen e përcaktuar nga autoritetet serbe. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur dezinformatat, lajmet e rreme dhe narrativat e rreme janë të dukshme. Diplomacia publike është një nga fushat ku Serbia dhe NATO mund të bëjnë shumë më tepër për përfitimin tonë reciprok.

Ne kemi luajtur rolin tonë për disa vite tashmë në mënyra të ndryshme, duke përfshirë vizitat në zyrat tona - duke komunikuar për aktivitetet tona të ndryshme - angazhimet me një numër të gjerë organesh mediatike përmes intervistave dhe qasjes në ngjarjet e nivelit të lartë të NATO-s, si Takimet Ministrore dhe Samitet, bashkëpunim shkencor, pjesëmarrje në konferenca dhe seminare dhe vizita nga gazetarë, akademikë, opinionistë, deputetë dhe zyrtarë qeveritarë në selinë e NATO-s.

Në këtë sfond, NATO dhe Serbia mund të punojnë edhe më ngushtë së bashku për të demaskuar lajmet e rreme, për të luftuar narrativat e rreme dhe për të trajtuar kërcënimet hibride. Këto sfida trajtohen më së miri përmes veprimeve transparente dhe konkrete, të cilat përcjellin fakte dhe komunikojnë vlera të përbashkëta. E gjithë kjo është çelësi për të mbrojtur shoqëritë demokratike dhe për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj ndërhyrjeve malinje të jashtme.

Në nivel dypalësh, po ashtu janë duke u zhvilluar shumë aktivitete ndërmjet Serbisë dhe aleatëve të NATO-s. Këto vende dhurojnë dhe investojnë shumë burime në Serbi, përmes Fondeve të Mirëbesimit të NATO-s, fondeve të BE-së, ose në baza thjesht dypalëshe.

Ka ende një hendek të konsiderueshëm informacioni midis asaj që bëjmë dhe asaj që arrin tek audienca në Serbi, kështu që ky është një nga prioritetet e mia kryesore. Ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos për të shpjeguar se çfarë është NATO, vlerat që ajo përfaqëson dhe parimet e NATO-s dhe partneritetit afatgjatë të Serbisë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të angazhohemi me popullin e Serbisë dhe të eksplorojmë mënyra të reja për të vazhduar bashkëveprimin në mënyrë transparente dhe konstruktive.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
38
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024