Nesër Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë, kjo është agjenda
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Të enjten në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë  mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Arritja e liderëve në samit do të bëhet në Pallatin e Kongreseve nga ora 09:30. Fjalët hapëse mbahen nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe komisionari Oliver Varhelyi nga ora 09:45. Fotot familjare do të bëhen nga ora 10:45. Firmosja e marrëveshjes bëhet në orën 12:00, ndërsa konferenca për media nga ora 12:30.

Kurti: Plani i rritjes duhet të përshpejtojë anëtarësimin e BP në BE • KosovaPress

Ndryshe, Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e ndihmës financiare.

Bashkimi Evropian do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.

Rama: Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e mirë • KosovaPress

KosovaPress ka dërguar pyetje zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu nëse kryeministri Albin Kurti do të merr pjesë në samit, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024