Bislimi: Ende pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në një vjetorin e Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel më 27 shkurt, ka akuzuar Serbinë se po refuzon ta nënshkruaj dhe ta zbatojë.

Ai ka dhënë detaje duke thënë se në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke.

“Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Përkundrazi, përgjatë kësaj periudhe një vjeçare jemi përballur me shkeljet e Serbisë, eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive. Me 27 shkurt në Bruksel, me 18 mars në Ohër, me 14 shtator në Bruksel, me 26 tetor në Bruksel, me 8 shkurt në Neë York, plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por u refuzua. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues. Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor. Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke. Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”, ka shkruar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024