​Biden shpreson për një pauzë të luftimeve në Gazë gjatë Ramazanit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Izraeli do të jetë i gatshëm ta ndalë luftën e tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – gjatë Muajit të Ramazanit, nëse arrihet një marrëveshje për lirimin e disa pengjeve që mbahen nga radikalët palestinezë.

Negociatorët nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari po punojnë për kornizën e një marrëveshjeje sipas së cilës Hamasi do të lironte dhjetëra pengje që mban, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe ndaljen e luftimeve për gjashtë javë. Gjatë kësaj pauze të përkohshme, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura, shkruan Rel, transmeton KosovaPress.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me deklaratat e Bidenit.

Ramazani nis më 10 mars dhe shihet si një afat jozyrtar për një marrëveshje armëpushimi. Në këtë muaj, besimtarët myslimanë në mbarë botën agjërojnë nga agimi deri në muzg.

Biden tha se shpreson që një marrëveshje armëpushimi do të hynte në fuqi javën e ardhshme. Gjatë pauzës, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura dhe lirimin e më shumë të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.

“Ramazani po vjen dhe duhet të ketë një marrëveshje nga izraelitët që po ashtu të mos përfshihen në aktivitete gjatë Ramazanit, në mënyrë që të na japin ne kohë për të liruar të gjitha pengjet”, tha Biden gjatë një paraqitjeje në emisionin Late Night With Seth Meyers në NBC.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024