AAK-ja do të nisin një rezolutë për sigurime shëndetësore, obligative për qeverinë
Shëndetësi
Lexohet për: 6 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Grupi parlamentarë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me gjendjen e shëndetësisë në vend, mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe trajtimet jashtë vendit për të cilat u tha se shpenzohen miliona euro.

Deputeti AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se tre vitet e fundit nuk është ndërmarrë asnjë hap për ligjin e sigurimeve shëndetësore. Sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon dhe botë pa sigurime shëndetësorë. Dreshaj tha se në mbledhjen e ardhshme do të nisin një rezolutë, për të cilën presin që t’u aprovohet  nga opozita dhe të jetë obligative për qeverisjen aktuale.

 “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka filluar një nismë në të cilën shpresojmë që ditën e enjte do të bëhet një debat parlamentarë lidhur me gjendjen në shëndetësi, problemet e përditshme të cilat po hasim në shëndetësi në mungesë të sigurimeve shëndetësore. Arsyeja se pse po e bëjmë këtë , sepse tre vitet e fundit për do vit e kemi në agjendë ligjin për sigurime shëndetësore dhe ende nuk e kemi në duar tona dhe si duket ende nuk do të jete në këtë agjendën pranverore. Realisht plaga e vjetër e shëndetësisë kosovare vazhdon që të jetë edhe më tutje, vazhdojmë që të jemi vendi i vetëm në rajon dhe botë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore dhe vazhdojnë problemet e njëjta përkundër dyfishimit të buxhetit në shëndetësi, vazhdojnë listat e pritjes, problemin me listën esenciale të barnave, vazhdon trajtimi i pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore, miliona euro në institucione private dhe jashtë vendit për trajtimin e problemeve të cilat me një shëndetësi të mirëfillte dhe cilësore do të mund të kryhen  në institucione tona publike ne vend. Bazuar në këtë ne kemi ftuar dhe feedbackun e  kësaj do të përmbyllim me një rezolutë të cilën do të mbështet nga pozita dhe opozita. Shpresojmë që kjo rezolutë të jetë një obligim për qeverisjen aktuale që një herë e përgjithmonë shëndetësia të kthehet ne binar të drejtë”, tha Dreshaj.

Dhjetëra në mos qindra miliona euro qytetarët e Kosovës për çdo vit i harxhojnë për trajtim mjekësor jashtë shtetit. Për herë të parë një Ligj për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, por ende qytetarët nuk kanë sigurim shëndetësor. Tek në muajin qershor sipas Ministrit të shëndetësisë pritet të finalizohet hapi fillestar për këtë proces.

“Sistemi i informimit shëndetësor, ka filluar procesi i studimit të fizibilitetit nga një kompani jashtëzakonisht e njohur gjermane, dhe ky studim pritet që të mbarojë në pjesën e dytë të qershorit dhe në momentin e parë që të mbaroj ky studim fizibiliteti do të merren rekomandimet që merren nga ky studim dhe do të fillojnë menjëherë edhe investimet edhe implementimi i tij si parakusht për sigurimet shëndetësore”, ka thënë Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.

Sistemi informativ shëndetësor sipas ministrit Vitia do të finalizohet për një vit e gjysmë maksimumi, ndërsa jetësimi i sigurimeve shëndetësore do të vonojë edhe më shumë.

“Deri sa të gjithë kanë thënë që mund të bëhet për 10 muaj dhe 12 muaj, për besë kanë qenë fontanë dëshirash. Fondi i sigurimeve shëndetësore, sigurimet shëndetësore nuk mund të bëhen para një periudhe 4 vjeçare sepse është e pamundur, kjo është në të gjithë botën”, shoti ai.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve nuk është optimist aq sa kreu i shëndetësisë. Besim Kodra thotë se janë edhe disa parakushte të tjera për sigurimin shëndetësor, projekt i cili sipas tij do të zgjidhë gjendjen e mjerueshme shëndetësore në Kosovë.

“Pacientët 18% e tyre nuk po shkojnë fare te mjeku në pamundësi për t’i paguar tarifat financiare, 34% po kanë vështirësi financiare me i siguru shërbimet, 40% janë pagesa nga gjepi që në bazë të rekomandimeve të OBSH-së duhet të jenë nën 20%”, ka thënë Besim Kodra, kryetar i Shoqatës së Pacientëve.

Kodra thotë se institucionet publike shëndetësore nuk janë të licencuara për shkak se nuk i plotësojnë shumë nga kushtet e kërkuar, për çka edhe pas implementimit të sigurimeve shëndetësore, pacientët do të vërshojnë spitalet private. Edhe anëtarët e Komisionit për shëndetësi nga opozita thonë se me këtë Qeveri nuk besojnë se do të realizohen sigurimet shëndetësore.

Shemsedin Dreshaj thekson se si opozitë në komision janë shumë të interesuar dhe do të jenë konstruktiv në këtë proces, i cili nuk po realizohet për fajin dhe paaftësinë e Qeverisë Kurti

“Janë bërë agjenda janë bërë ligje por ato kurrë nuk janë finalizu, me ardhjen e qeverisjes së re gjithçka ka nisur nga fillimi. Edhe kjo legjislaturë e ka në agjendë ligjin për sigurime shëndetësore mirëpo ai ligj ka gjenë në vitin e kaluar nuk është debatuar, është këtë vit jemi në gjysmën e vitit dhe ende nuk shihen askund fillet një përmbyllje të tij”, ka thënë Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj.

Në vitin 2009 ligji për sigurime shëndetësore ishte tërhequr për shkak të buxhetit. Ndërkaq ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, por që prapë asnjëherë nuk u zbatua. Ata pak qytetarët që kanë sigurime shëndetësore janë të siguruar vetëm përmes kompanive private.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024