Escobar: Jemi të shqetësuar, Kurti s’po na trajton si partner
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë me programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po i trajton si partner dhe nuk po punojnë për sigurinë rajonale.

Zëri i Amerikës: Si e komentoni zhvillimin e fundit në dialog ku zyrtarët e Kosovës refuzuan të marrin pjesë në takimin që i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak ka thirrur për të diskutuar çështjen e dinarit?

Gabriel Escobar: Mendoj se jemi ende në fazën e diskutimit nëse dikush do të shkojë apo se kush do të shkojë. Pra, kuptimi im ishte se nuk ka konsideratë nga pala e Kosovës se ata do të dërgojnë një përfaqësues për të diskutuar çështjen e dinarit. Pra, ne ende shpresojmë t’i bindim ata të marrin pjesë të martën.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kritikuar shumë herë Kosovën për mënyrën se si ajo zbatoi politikën e re për dinarin. Por përveç retorikës së ashpër, a ka pasoja praktike për qeverinë e Kurtit?

Gabriel Escobar: Shikoni, nuk dua të hyj në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por, e dini, mendoj se deklaratat tona publike janë tregues se si po shkojnë marrëdhëniet në nivel diplomatik dhe politik. Pra, ne jemi të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner. Ata nuk po konsultohen me ne. Ata nuk po punojnë me ne për sigurinë rajonale. Dhe më e rëndësishmja, ata po bëjnë gjëra që në dukje po dëmtojnë dialogun në të cilin Shtetet e Bashkuara janë angazhuar plotësisht.

Zëri i Amerikës: Por si ndodh në jetën praktike? A do të ndalin Shtetet e Bashkuara mbështetjën për Kosovën në bashkësinë ndërkombëtare? A ka ndonjë pasojë të tillë që po ndodh tani?

Gabriel Escobar: Mendoj se ambasadori (amerikan në Prishtinë Jeff) Hovenier e ka thënë më së miri kur tha, kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Pra, sa herë që flasim për Kosovën me partnerët e tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, shqetësimet e tyre janë se Kosova nuk po bën atë që kërkohet nga dialogu i lehtësuar i Bashkimit Evropian, që përfaqëson të gjithë Bashkimin Evropian, dhe pse duhet të ecin përpara. Pra, me fjalë të tjera, na e bën shumë të vështirë që të jemi në gjendje të mbështesim Kosovën për shumë gjëra, duke përfshirë NATO-n, kandidaturën për Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe një sërë organizata tjera. Kështu që nuk është se duhet të vendosim çfarë lloj pasoja, pasojat janë të vetëkuptueshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024