Biden njofton më shumë se 500 sanksione të reja kundër Rusisë
Bota
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Shtetet e Bashkuara po vendosin më shumë se 500 sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës së saj të vazhdueshme kundër Ukrainës dhe vdekjes së politikanit opozitar rus Alexei Navalny.

Këtë e tha presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë përpara dyvjetorit të pushtimit rus të Ukrainës, transmeton Ukrinform.

"Sot, unë po shpall më shumë se 500 sanksione të reja kundër Rusisë për luftën e saj të vazhdueshme pushtuese në Ukrainë dhe për vdekjen e Alexei Navalny, i cili ishte një aktivist i guximshëm kundër korrupsionit dhe lideri më i ashpër i opozitës së Putinit. Këto sanksione do të synojnë individë të lidhur me burgimin e Navalny-t, si dhe sektorin financiar të Rusisë, baza industriale e mbrojtjes, rrjetet e prokurimeve dhe shmangësit e sanksioneve nëpër kontinente të shumta. Ato do të sigurojnë që Putini të paguajë një çmim edhe më të lartë për agresionin e tij jashtë vendit dhe represionit në vend", tha ai.

Biden shtoi se SHBA-ja po vendoste gjithashtu kufizime të reja eksporti për afro 100 entitete për ofrimin e mbështetjes.

"Ne po ndërmarrim veprime për të reduktuar më tej të ardhurat e Rusisë nga energjia. Dhe unë kam drejtuar ekipin tim të forcojë mbështetjen për shoqërinë civile, mediat e pavarura dhe ata që luftojnë për demokracinë në mbarë botën", shtoi ai.

Ndër të tjera, Biden vuri në dukje luftën e popullit të guximshëm ukrainas dhe i bëri thirrje edhe një herë Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së që të miratojë projektligjin për të ndihmuar Ukrainën.

"Dy vjet pas kësaj lufte, populli i Ukrainës vazhdon të luftojë me guxim të jashtëzakonshëm. Por atyre po u mbarojnë municionet. Ukraina ka nevojë për më shumë furnizime nga Shtetet e Bashkuara për të mbajtur vijën kundër sulmeve të pamëshirshme të Rusisë, të cilat mundësohen me armë dhe municione nga Irani dhe Koreja e Veriut. Kjo është arsyeja pse Dhoma e Përfaqësuesve duhet të miratojë projektligjin shtesë dypartiak të sigurisë kombëtare, përpara se të jetë tepër vonë”, tha ai.

"Tani është koha që ne të qëndrojmë të fortë me Ukrainën dhe të qëndrojmë të bashkuar me aleatët dhe partnerët tanë. Tani është koha për të provuar se Shtetet e Bashkuara ngrihen për lirinë dhe nuk i përulen askujt", përfundoi Biden.

Më 23 shkurt, Bashkimi Evropian miratoi paketën e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke synuar 106 individë dhe 88 persona juridikë. /UKRINFORM/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024