Dezinformatat në mediat serbe shkaktojnë panik te komuniteti jo-shumicë në Kosovë
Lajme
Lexohet për: 7 min.
media-foto-
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Lajmi i pavërtetë i publikuar nga një prej mediave në Kosovë, derisa kanë cituar mediat serbe se pas vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, do të hyjë ushtria serbe në vendin tonë, shkaktoi panik te komuniteti jo-shumicë rom, ashkali dhe egjiptian.

Ngjashëm ndodhi edhe me rastin e një video deepfake në të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thotë se do të fillojmë prapë luftën me Kosovën.

Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku disa nxënës të komunitetit jo-shumicë, bashkë me mësimdhënësit e tyre të shkollave në Lipjan, janë trajnuar mbi edukimin mediatik. Përveç kësaj, u tha se dezinformimi dhe keqinformimi janë shndërruar në trend.

Nxënësja në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ismial Luma” në Lipjan nga komuniteti ashkali, Anita Kryeziu tha se ka lexuar disa herë lajme të pavërteta nëpër media, derisa specifikoi se ka lexuar gjoja se prejardhja e komunitetit jo-shumicë është nga India. Lidhur me këtë, Kryeziu tha se është ndier keq dhe se është bullizuar nga të tjerët në shkollë.

Përveç kësaj, Kryeziu potencoi se nuk e ka marrë vaksinën kundër Covid-19 për shkak se ka lexuar se me marrjen e saj, do t’i vendoset diçka në dorë.

Ajo shprehu dëshirën që të merr pjesë në sa më shumë trajnime të tilla, të cilat kanë për qëllim edukimin mediatik të nxënësve nga komunitetet jo-shumicë.

"(Kam lexuar) që kur ta marrësh vaksinën (kundër Covid-19) të ngjitet ndonjë para apo diçka tjetër...Nëpër media kam lexuar se e kemi prejardhjen prej Indisë, jam prekur pak, se në shkollë tek ne (na bullizojnë)...Sot, më ka pëlqyer trajnimi, më ka pëlqyer që kemi bërë aktivitete të ndryshme, për lajmet fake e të tjera...Prej këtij trajnimi ka mësuar se si t'i dallojmë lajmet e rrejshme nga ato të vërteta. E kam parë një deepfake që presidenti i Serbisë ka thënë që do të vazhdojmë luftën prapë, ne kemi pasur panik, por me vazhdimin e kohës e kemi marrur vesh që është e rrejshme. Kam dëshirë të marrë pjesë prapë në trajnime të tilla", tha Kryeziu.

Ndërkaqnxënësja në Gjimnazin “Ulpiana”, në Gadime të Lipjanit nga komuniteti ashkali, Eljesa Komorani tha se ka lexuar një lajm në media se pas liberalizmit të vizave, Kosova po zbrazet dhe qytetarët po ikin jashtë vendit. Përveç kësaj, ajo tha se ka parë një lajm të rremë gjoja se pas vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, ushtria serbe do të hyjë në Kosovë, për çka potencoi se ky informacion ka ngjalluar panik tek ata.

"Mediat në Kosovë kanë thënë se po zbrazet Kosova se (shumë) qytetarët po shkojnë jashtë vendit, pas liberalizimit të vizave...06:48 "Mediat në Kosovë kanë shkruar (i kanë cituar) mediat serbe që pas ndalimit të dinarit do të vijnë ushtarët serb në Kosovë dhe ne kemi menduar që do të bëhet luftë në Kosovë, kjo ka qenë një lajm i rrejshëm...A duhet të ketë më shpesh trajnime të tilla? Po, neve na nevojiten dhe po mësojmë shumë prej tyre, edhe pse disa prej tyre i mësojmë edhe në shkollë, por mirë është të përsëriten edhe në trajnime, po kemi edhe kohë shprehemi më mirë", tha Komorani.

Po ashtu, edhe nxënësi nga po i njëjti gjimnaz, nga komuniteti ashkali, Elmedin Limani tha se para disa kohësh ka lexuar një artikull në të cilin thuhej se futbollisti, Cristiano Ronaldo do të kalojë në klubin futbollistik të Barcelonës.

Ndër të tjera, Limani tregoi se nuk është vaksinuar kundër koronavirusit, ngase në media ka lexuar se shumë njerëz po vdesin pasi po e marrin këtë vaksinë.

Lidhur me trajnimin, ai u shpreh se ka mësuar gjëra të reja të cilat kanë të bëjnë me keqinformimin dhe dezinformimin.

"Lajmi i rremë që e kam dëgjuar është që Ronaldo që ka shkuar në Barcelonë por ai në fakt ka shkuar në Al-NassrFC. Qe sa kohë e ke lexuar këtë lajm? Para gjashtë muajsh diku...A e ke marrë vaksinën kundër Covidit? Nuk e kam marrur vaksinën (kundër Covidit) se kam dëgjuar se nuk është e mirë dhe kam dëgjuar që shumë njerëz kanë vdekur prej saj. A e ke lexuar diku këtë? Po, nëpër gazeta dhe rrjete sociale. Te trajnime më ka pëlqyer më së shumti, kemi mësuar se si të dallojmë informimin dhe keqinformimin. Prej këtij trajnimi kam mësuar më shumë për lajmet e rreme. Mendoj që duhet të ketë më shumë trajnime për neve që të mësojmë gjëra të reja", tha Limani.

Ndërkaq, mësimdhënësi i lëndës “E drejta familjare”, Salih Kërpuzi tha se trajnime të tilla për komunitete jo-shumicë janë të mirëseardhura, ngase sipas tij dezinformomi dhe keqinformimi janë shndërruar në trend.

Kërpuzi tha se duke marrë parasysh që të rinjtë janë përdorues të rrjeteve sociale, mundësia që të bien pre e lajmeve të rreme është më e madhe, derisa vuri në theks rëndësinë e trajnimeve të tilla.

"Trajnimet në përgjithësi janë të mirëseardhura, sidomos për komunitetin jo-shumicë në Kosovë. Duke pasur parasysh që në aspektin juridik këta gëzojnë jashtëzakonisht të drejta të cilave duhet t'iu mundësohet që përmes informimeve të kenë qasje më të shpejtë dhe më të saktë. Ne sot jetojmë në Kosovë dhe dezinformatat dhe keqinformimet thuajse janë trend, e sidomos rinia duke parasysh që janë jashtëzakonisht përdorues të rrjeteve sociale, jo që i marrin ato të mirëqena por, pak a shumë ndikojnë në keqinformimin e tyre. Sidomos ato keqinformime apo rrjete që u servojnë gjëra të cilat i futin rrugëve nuk janë të mira për rininë. Duke pas parasysh që komuniteti nuk është shumë i integruar, jo me fajin e legjislacioneve, por me fajin e tyre, 'me fajin e tyre, pak e vrazhdë'. Por, duke pasur parasysh se mungon shkollimi i tyre, mungon jeta e mirë, kushtet ekonomike e kështu me radhë. Unë në shkollë e ligjëroj lëndën 'E drejta familjare', aty kemi jashtëzakonisht keqinformime sidomos në aspektin e dhunës, sepse nganjëherë ajo keq interpretohet dhe krijon panik në familje, në shoqëri e kështu me radhë", tha Kërpuzi.

Po ashtu, edhe profesori që ligjëron lëndën “Gjuha Shqipe”, në një nga shkollat e Lipjanit, Feim Olluri tha se trajnimi mbi edukimin mediatik është i qëlluar, ngase sipas tij nxënësit e komunitetit jo-shumicë patën mundësinë të mësojnë se si t’i dallojnë lajmet e rreme nga ato të vërteta.

Sipas tij, trajnime të tilla duhen mbajtur më shpesh.

"Unë mendoj se është një trajnim i qëlluar, fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, edukimi medial sot për sot, me që të gjithë përdorim rrjete sociale, është mjaftë i rëndësishëm. Këtu nxënësit patën mundësinë të mësojnë për keqinformim, dezinformimin e të tjera që vijnë prej (mediave), rrjeteve sociale. Ndoshta i kanë mësuar disa detaje që mund t'i kapin para se ta hapin lajmin, sepse titujt po janë ndryshe, përmbajtja po është ndryshe, kjo ndoshta bën edhe një panik kur të shohim titujt. Mendoj se duhet të ketë trajnime më shpesh", tha Olluri.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024