Guvernatori Ismaili takon ambasadorin austriak, flasin për rregulloren e re të BQK-së
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili së bashku me bashkëpunëtorë priti në takim ambasadorin e Austrisë në vendin tonë, Georg Schnetzer, shoqëruar nga zëvendës shefja e Misionit, Clarissa Castek.

Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar ambasadorin Schnetzer dhe bashkëpunëtoren e tij lidhur me nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA.

Në njoftim thuhet se ambasadori Schnetzer u informua edhe lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK.

“Në takim u diskutua për mbështetjen që shteti austriak po i jep Republikës së Kosovës në proceset integruese, përfshirë këto aspekte lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, Kodin ISO që lidhet me platformat botërore të pagesave dhe procese tjera me rëndësi të veçantë për vendin tone”, thuhet në komunikatë.  

Guvernatori i BQK-së me këtë rast falënderoi Ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit austriak për institucionet dhe popullin e Kosovës.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së. Është biseduar lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si dhe planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare.


Në këtë aspekt, Ambasadori austriak u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.

Në fund të takimit u theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 me Rregulloren e BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024