Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti ka raportuar me dyer të mbyllura të mërkurën në Komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së. Pas përfundimit të mbledhjes, anëtari i komisionit, deputeti i LVV-së, Sali Zyba, tha se është diskutuar edhe për pretendimet për planifikim të atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij javë më parë në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, Zyba nuk pranoi të jap detaje nga ky diskutim, derisa tha se kjo çështje është e konsumuar dhe s’ka nevojë për alarmim.
Kurti më 10 shkurt të këtij viti ka qëndruar në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku ishte raportuar në televizionin publik se ndaj tij ishte planifikuar një atentat, një ditë pasi përfaqësoi Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, në të cilën temë diskutimi ishte çështja e rregullores së Bankës Qendrore./KosovaPress/