KEK reagon ndaj protestës së ish-punëtorëve të sigurimit fizik: Nuk kanë kontratë pune
Biznes
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar pas protestës së Shoqatës Sindikale të Sigurimit Fizik në KEK të mbajtur sot në Prishtinë dhe kritikat për vazhdimin e tenderimit, për pagat e ulëta dhe kushtet e rënda të punës.

KEK njofton se në bazë të dokumentacionit të cilin kanë trashëguar, figuron se njësia “ish Mbrojtja dhe Siguria” ishte ndarë (shthurur) nga KEK-u para 20 viteve (pra në vitin 2004) sipas strategjisë në fuqi të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, andaj nga ajo kohë ky shërbim kontraktohet nga kompanitë e licencuara të sigurimit fizik.

“Për sqarim, procesi i shthurjes së KEK-ut ka filluar në vitin 2004/05, faza e parë, me ndarjen e njësive jo-qenësore (9 njësi jo-qenësore përfshirë edhe shërbimin e sigurisë fizike), duke vazhduar në vitin 2006 me ndarjen e operatorit të sistemit dhe transmisionit (KOSTT) dhe në fund, ndarjen e operatorit të shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS/KESCO) në vitin 2013”, thuhet në reagim.

Për më tepër, sipas KEK-ut në bazë të dokumentacionit që posedojnë, asnjë nga ish punëtorët e kësaj ish- njësie të shthurur në vitin 2004 nuk kanë kontratë pune me KEK sh.a.

“Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a. pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet po ashtu se çdo punësim i ri i punëtorëve në KEK sh. a. duhet të bëhet në pajtim me Ligjin e Punës dhe aktet tjera nënligjore, si Udhëzimi i MPMS për krijimin e marrëdhënies se punës ne sektorin publik (2011/14) për punësimet e reja.

“Lidhur me këtë, duke pas parasysh faktet e lartcekura dhe bazuar në ligjet në fuqi, KEK sh.a. nuk ka asnjë mundësi ligjore për ri-organizimin e këtij shërbimi në kuadër të korporatës”, thuhet në reagim.

Në fund të reagimit thuhet se pavarësisht të gjithave, menaxhmentet e KEK-ut gjithmonë kanë bashkë ndjerë me situatën e krijuar nga shumë vite më herët, me ç ‘rast duke pasur synim primar sigurinë fizike të objekteve dhe pronës, përkundër kufizimeve të Ligjit të Prokurimit Publik, menaxhmentet gjithmonë kanë inkurajuar të gjithë OE të suksesshëm që janë kontraktuar për sigurim fizik, që asnjë punëtor i ish njësisë Mbrojtja dhe Siguria të mos mbetet pa punë. Përtej kësaj ka caktuar pagën minimale (mbi kushtet e tregut), sigurimin shëndetësorë dhe shujtën.

https://kosovapress.com/protestojne-punetoret-e-sigurimit-fizik-ne-kek-duan-te-jene-pjese-e-kompanise-e-jo-nga-ato-private

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024