Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK, duan të jenë pjesë e kompanisë e jo nga ato private
Biznes
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), sot ka protestuar kundër vazhdimit të tenderimit të paligjshëm sipas tyre, për pagat e ulëta dhe kushtet e rënda të punës

 “Ne nuk jemi të privatizuar, jemi të huazuar për 2+1 vite” dhe “Tenderi e pasuron vetëm një pronar, ndërsa ne jemi një shoqëri e cila i takon KEK-t”, ishin mbishkrimet në pankartat që ata mbanin në duar derisa protestuan para objektit të KEK-ut.

Ata treguan se ende nuk iu janë ekzekutuar pagat e janarit, ani pse jemi gati në fund të muajit shkurt.

Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica tha se raportit i auditorit të brendshëm nuk është në përputhje me kontratën dhe se dyshojnë për korrupsion dhe “hile”.

Llumnica theksoi se si rezultat i keqmenaxhimit të KEK-ut, punëtorët e Sigurimit Fizik ende nuk e kanë marrë pagën e janarit. Ai i bëri thirrje qeverisë aktuale që të ndërmarrë masa, për çka shtoi se kur kjo e fundit ishte në opozitë, kishte përkrahje për këto kërkesa.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati tha se janë punëtorë “të huazuar”, në kompani private në mënyrë të paligjshme nga ana e KEK-ut, për çka shtoi se keqpërdorimet janë shumë të mëdha.

Ai tha se i jep afat KEK-ut deri në fillim në muajit të tjetër për ekzekutim të pagave, përndryshe sipas tij “nuk do të veshin më uniformat e kompanive private”.

Murati tregoi se disa punëtorë sot e kanë thirrur dhe i kanë thënë se nuk kanë para për të udhëtuar që të marrin pjesë në protestë.

Ndërkaq, pas gati një ore proteste para zyrës së KEK-ut, në shesh, kryetari i Sindikatës së KEK-ut bashkë me dy punëtorë të tjerë hynë brenda zyrave të KEK-ut, për të biseduar, por pas takimit, Murati tha se nuk arritën marrëveshje për asgjë.

Ai tha se i ka pritur shefja e kabinetit të KEK-ut, e cila u kishte thënë se do t’i njoftojnë përmes emailit për të caktuar një takim tjetër, në mënyrë që të bisedojnë rreth paqartësive.

Ndërkaq, të njëjtit kanë protestuar edhe më herët lidhur me këto kërkesa.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024