Marshall: Lajmet e paanshme janë thelbësore për demokracinë, historia e KosovaPress-it është frymëzuese
Intervista
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Liria e mediave, saktësia dhe paanshmëria e tyre janë thelbësore për demokracinë dhe informimin e qytetarëve. Kështu vlerëson Allan Marshall, drejtor i PA Media Group të Mbretërisë së Bashkuar.

Pak ditë pas mbajtjes së konferencës ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, e cila mblodhi 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani, Marshall, thotë se liria e mediave duhet të zbresë në çdo nivel dhe që gazetarët të kenë qasje në informacionin e duhur dhe të mund të veprojnë lirshëm.

Sipas tij, sfiduese për mediat janë lajmet e rreme.

“Pra, unë mendoj se ajo që kemi dëgjuar në konferencë gjatë dy ditëve të fundit, është se të gjithë e kuptojnë natyrën kritike të nevojës për të vërtetën, dhe lajmet e sakta e të paanshme janë thelbësore për demokracinë, janë thelbësore për mbajtjen e qytetarëve të informuar dhe mendoj, si një përfaqësues i një agjencie lajmesh, ne besojmë se agjencitë e lajmeve janë pjesë e rëndësishme e përgjigjes ndaj kësaj në verifikimin e informacionit, kontrollimin e informacionit dhe thjesht duke u siguruar që ka lajme të sakta për njerëzit”, thotë ai.

Teksa flet për konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, Marshall në një intervistë për KosovaPress, thotë se është mirë kur edhe politikanët flasin për lirinë e mediave dhe e kuptojnë se shtypi është atje për të kërkuar llogari nga pushteti.

“Ka qenë vërtet interesante të dëgjosh nga politikanët, nga folësit, nga diplomatët që flasin për rëndësinë e lirisë së shtypit në Kosovë. Mendoj se është mirë që ka një kuptim që shtypi është atje për të kërkuar llogari nga pushteti, për të mbajtur qytetarët të informuar. Pra, ishte e mrekullueshme ta dëgjoje këtë. Mendoj se ajo që është e rëndësishme është që liria të zbresë në çdo nivel dhe që gazetarët të kenë qasje në informacionin e duhur dhe të mund të veprojnë lirshëm", shton ai.

Sipas Marshall, sfiduese për mediat mbetën lajmet e rreme dhe verifikimi i tyre.

"Unë mendoj se të gjitha mediat përballen me atë sfidë nga lajmet e rreme, nga dezinformatat, pavarësisht në cilin vend ku jeni, kudo që të veproni, kjo është një sfidë e vërtetë. Mendoj se ne besojmë se vlera e lajmeve dhe informacioneve të sakta nuk zvogëlohet, ajo është e pa zvogëluar, thjesht duhet të gjejmë mënyrat e duhura për ta nxjerrë atë informacion të vërtetë tek audienca dhe për t'i ndihmuar njerëzit të kuptojnë vlerën që mund të ketë gazetaria", deklaron Marshall.

Marshall nuk lë pa përmendur edhe Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, duke i vlerësuar lart arritjet e saj gjatë 25 vjetësh punë në informim të qytetarëve.

"Epo, mendoj se historia e KosovaPress-it është në fakt frymëzuese, e dini, unë jam nga Britania e Madhe dhe kam një agjenci të themeluar prej kohësh, por është e mrekullueshme të shohësh arritjet e KosovaPress-it në 25 vitet e fundit. Unë nuk do të thosha se ka ndonjë gjë që ata duhet të mësojnë nga organizata ime në MB, mendoj se ka gjithmonë mësime të ndërsjella, e dini, ne duhet të mësojmë se si të lëvizim shpejt dhe si të ndërtojmë gjëra të reja. Por mendoj se mund të flasim për modele biznesi; ne mund të flasim për mënyrën se si t’i rrisim të ardhurat në sektorë të ndryshëm. Pavarësisht nëse janë sektorë që nuk janë mediatik, ose për të arritur audienca të ndryshme, ka gjithmonë informacion për të ndarë”, përfundon ai.

Të enjten në Prishtinë u mbajt konferenca ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, në të cilën u potencua nevoja e luftimit të lajmeve të rreme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024