Liderët e shtetit vlerësojnë lartë lansimin e tregut online për blerje dhe shitje makinash: Do të ketë ndikim në ekonomi
Biznes
Lexohet për: 5 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kosova po shënon një hap të rëndësishëm në fushën e inovacionit dhe teknologjisë falë kompanisë gjigande Gjirafa. Nga sot, Carvago nga Gjirafa e njohur edhe si tregu më i mirë online në Evropë për blerje dhe shitje makinash, ka lansuar një treg të ri online të makinave, duke bërë kështu një hap të rëndësishëm përpara në tregun automobilistik në vend. Në mesin e shtatë tregjeve Evropiane, Kosova është e teta ku kjo kompani tashmë operon.

Qëllimi i bashkëpunimit të kompanisë Gjirafa dhe Carvago nga Çekia është të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si njerëzit blejnë vetura online në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar se Gjirafa është një ndër storiet e suksesit, jo vetëm për Kosovën por edhe për Evropë.

Në lansimin e kësaj platforme, e para e vendit duke thënë se projekt do të ketë ndikim në ekonomi, u shpreh se Carvago do t’i sjell përfitim jo vetëm shtetit tonë, por gjithashtu do të ndikojë direkt edhe në jetën e qytetarëve.

“Gjirafa është një ndër ato rrëfimet e suksesit, e cila tashmë nuk është vetëm e jona, është një kompani evropiane. Kjo tregon se Kosova mund t’i ofrojë Evropës më shumë se kaq, ndaj dhe ambicia jonë është që të jemi pjesë e BE-së, aty ku e kemi vendin. Inovacioni ka një rol përmbajtësor për zhvillimin e ekonomisë sonë dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Tregu inovativ për blerjen e makinave Carvago do t’i sjell përfitim jo vetëm shtetit tonë, por gjithashtu do të ndikojë direkt edhe në jetën e qytetarëve tanë. Carvago përben një inovacion për tregun e veturave, është përftim në kohë, përmirësim në cilësi dhe në efikasitet. Kosova është e interesuar të lidhet sa më shumë me tregun evropian, ndaj Carvago është vetëm një nga platformat që e mundëson një gjë të tillë”, tha Osmani.

Se Kompania Gjiraf ka sjellë përfitime për vendin e tha edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Sipas tij, ky partneritet me Republikën Çeke do të shërbejë në mënyrë pozitive për të dyja vendit.

“Ne e dimë që Gjirafa mbërrin lartë, por në këtë rast lartë e më lartë...Carvago nga Gjirafa, një partneritet ky ndërmjet kompanisë, teknologjisë digjitale Gjirafa dhe kompanisë Carvago nga Republika Çeke...Qeveria jonë është e përkushtuar ta çlirojë këtë potencial duke promovuar inovacionin dhe ndërmarrësinë si dhe duke krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillim të biznesit e për tërheqje të investimeve”, tha Kurti.

Ambasadori i Republikës Çeke, Bohumil Mazanek është shprehur i lumtur me lansimin e kësaj platforme. Sipas tij, kjo nismë paraqet një zhvillim të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Republikës Çeke dhe Kosovës jo vetëm në aspektin diplomatik por edhe në aspektin ekonomik.

“Lansimi i bashkëpunimit Carvago me Gjirafën paraqet një zhvillim të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Republikës Çeke dhe Kosovës jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në aspektin ekonomik, veçanërisht duke përdorur tregun e automobilave. Kjo nismë thekson përkushtimin e dy kombeve që të nxisë zhvillim ekonomik, inovacion teknologjik dhe lidhje më të fuqishme mes dy vendeve”, tha Mazanek.

Në anën tjetër, bashkëthemeluesi i kësaj platforme, Jakub Sulta është shprehur i emocionuar që Carvago po zgjerohet jashtë tregut të BE-së, në Kosovë, për çfarë tha se është motivuar me energjinë e njerëzve që kanë këtu.

“Jam i emocionuar që Carvago po zgjerohet jashtë tregut të Bashkimit Evropian për herë të parë, dhe vendi të cilin po shtrihet është Kosova, sepse të jesh këtu dhe të shohësh energjinë e njerëzve është shumë motivuese”, tha Sulta.

Ndërsa, themeluesi i kompanisë Gjirafa, Mergim Cahani tha se qëllimi i kësaj platforme është të ofrojë cilësi të shërbimeve tek qytetarët.

“Me qëllim që të demokratizojmë tregun e veturave në Kosovë së pari si pilot dhe më pas në gjithë Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i Carvagos është të ofrojë një cilësi të shërbimeve tek qytetarët e Kosovës që nuk është parë më herët, një shërbim i cili qytetarët e vendeve të zhvilluara e marrin çdo ditë, edhe ne meritojmë me pas zhvillimin në të njëjtin nivel”, tha Cahani.

Ky shërbim inovativ ua mundëson klientëve blerjen e automjeteve nga komoditeti i tyre shtëpiak, për çfarë garanton gjendjen e cdo makine, pasi tknikët e saj ekspertë inspektojnë personalisht cdo automjet para se të dalë në shitje.

Zgjerimi i “Carvago by Gjirafa” në Kosovë paraqet një moment historik të rëndësishëm në përmirësimin e lidhjeve mes tregut vendor dhe industrisë automobilistike evropiane. Ky veprim strategjik jo vetëm që përmirëson përvojën e blerjes dhe shitjes së makinave për klientët në Kosovë, por gjithashtu e pozicionon Carvago-n si një lojtar kryesor ne tregun evropian, duke shfrytëzuar bashkëveprimin ne mes inovacionit, brendit dhe shërbimit ndaj klientëve te Gjirafa-s dhe lidershipit të Carvago-s në industrinë automobilistike ne Evrope./E. Krasniqi

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024