Policia e Shtetit në Shqipëri ka publikuar planin e masave të marra për garantimin e sigurisë gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë, e cila parashikohet të realizohet gjatë ditës së enjte, 15 shkurt.
Sipas njoftimit të Policisë, nuk do të lejohet parkimi në disa akse rrugore.
Po ashtu do ketë ndalim qarkullimi në disa akse të tjera. “Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë: Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas; Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas; Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas; Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas; Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri””, bëhet me dije në njoftim.
Policia sqaron se gjatë kësaj kohe do përdoren rrugë alternative.
“Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimit, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve përkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e lëvizjes, për qëllime sigurie”, përfundon njoftimi.