Opozita e ndarë për marrëveshjen me Danimarkën për burgjet
Tema
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Marrëveshja me Danimarkën për marrjen në shfrytëzim të hapësirave të burgut në Gjilan do të jetë sërish nesër në rend dite për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard gjatë kësaj jave është takuar edhe me partitë opozitare, ku ka kërkuar miratimin e kësaj marrëveshjeje. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim, nga kjo parti thonë se nuk do të marrin pjesë fare në votim. Dallime ka edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku jo të gjithë deputetët e përkrahin këtë marrëveshje. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të votojë këtë dhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Partia në pushtet konsideron se në rast se kjo marrëveshje nuk gjen mbështetje nga partitë opozitare, do të lëndohen raportet bilaterale me shtetin danez.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur për KosovaPress se në seancën e 15 shkurtit, do të jetë pikë e rendit të ditës votimi i marrëveshjes me Danimarkën.

“Ministria e Drejtësisë bën të ditur se në seancën e ardhshme të 15 shkurtit 2024, [marrëveshja me Danimarkën] do të diskutohet në Kuvendin e Republikës ku edhe pritet të marrë votat e nevojshme nga deputetët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi thotë se partitë opozitare nuk kanë vërejtje për përmbajtjen e marrëveshjes, megjithatë konsideron se kjo ka të bëjë me inatet politike.

Megjithatë, ai shpreson se në seancën e nesërme të ratifikohet marrëveshja me Danimarkën. Në të kundërtën, siç thotë Rrustemi, Kosova nuk del palë serioze përballë shtetit danez.

Edhe pas takimit me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës , Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në votimin e kësaj marrëveshjeje. Deputetja Blerta Deliu-Kodra thotë se temë kyçe e takimit me ministrin ka qenë marrëveshja për burgun e Gjilanit.

Në votim do të marrin pjesë, por deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë unik sa i përket kësaj marrëveshje.

Deputeti Driton Selmanaj deklaron për KosovaPress se disa deputetë kanë dilemat e tyre sa i përket kësaj marrëveshje.

Tutje, shprehet se kjo marrëveshje ka avancuar dhe parlamenti danez e ka përkrahur me votë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se do të votojnë këtë dhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje është ratifikuar në parlamentin danez në vitin 2022. Ndërkaq, Kosova dhe Danimarka në dhjetor të vitit 2021 kanë nënshkruar një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024