Grafitet e reja në veri, pozitë dhe opozitë shprehen të shqetësuara
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Vendosja e grafiteve në katër komunat veriore me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”, po shihen si shqetësuese nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Pozitë dhe opozitë thonë situata në veri, mbetet e brishtë për shkak të tendencave të Serbisë që përmes grupeve të caktuara të destabilizojë situatën atje.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se paraqitja e grafiteve të reja në veri është marrë me shqetësim dhe seriozitet nga organet kompetente të sigurisë. Sipas saj, të gjitha informacionet tregojnë se Serbia asnjëherë nuk është ndalur për të destabilizuar veriun e vendin.

Si pasojë e kësaj, Kusari-Lila shtoi se është shtuar edhe siguria personale e udhëheqësve të shtetit. Siç deklaroi, shefja e deputetëve të partisë në pushtet, informacionet tregojnë se ka potencial se të njëjtit mund të jenë target i sulmeve nga Serbia.

Megjithatë, ajo nuk pranoi të shpalos detaje për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, ku qëndroi gjatë javës së kaluar.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke folur për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Kurti, tha se profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmi në media, por në identifikimin e autorëve. Sipas tij, është për keqardhje që një lajm i tillë u demantua nga institucionet e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk e dinë se cili ka qenë niveli i kërcënimit ndaj kryeministrit Kurti, por, sipas tij çështje të tilla nuk duhet të përdoren për qëndrime politike.

Megjithatë, Tahiri deklaron se agjenda armiqësore e Serbisë dhe presidentit Vuçiq nuk do të ndalet asnjëherë për destabilizimin e Kosovës.

Këto komente ata i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që gjatë kësaj jave të mbahen tri seanca plenare.

Deputetët të mërkurën pritet të mblidhen për të shqyrtuar pikat e mbetura nga seancat e kaluara, kurse të enjten do të mbahen dy seanca të reja plenare, ku njëra do të shqyrtojë plotësim-ndryshimet kushtetuese për procesin e vetingut, ndërkaq tjetra marrëveshjet ndërkombëtare dhe pikat të tjera që janë në rend të ditës.

Në anën tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të iniciojnë themelimin të dy komisioneve hetimore parlamentare, njëra për kontratat njëburimore dhe tjetra për tekstet shkollore.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bëri të ditur se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin për sigurime shëndetësore.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024