Maqedoni e Veriut: Nga 13 shkurti vlejnë vetëm pasaportat e patentë-shoferët me emrin e ri të shtetit
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njofton sot se nga ora 00:00 e datës 13 shkurt 2024, dokumentet e udhëtimit dhe patentë-shoferët me emrin Republika e Maqedonisë pushojnë së vlefshmi dhe do të jenë të vlefshme vetëm ato me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.

Hyrja në fuqi e vendimit është në përputhje me ndryshimet ligjore tashmë të miratuara dhe Marrëveshjen e Prespës

“Lusim qytetarët me dokumente të vjetra udhëtimi të mos tentojnë të largohen nga vendi ynë sepse nuk do të jetë e mundur. Qytetarët me dy shtetësi do të mund të përdorin pa problem dokumentet e udhëtimit të shtetit tjetër. Gjithashtu theksojmë se çdo shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut që vjen në pikën kufitare për të hyrë në vendin tonë, do të pranohet pa marrë parasysh dokumentin e udhëtimit me të cilin vijnë. Sa i përket letërnjoftimeve, i njoftojmë qytetarët se ato do të jenë të vlefshme edhe pas datës 13 shkurt, pavarësisht nëse e mbajnë emrin Republika e Maqedonisë apo Republika e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët do të mund t’i përdorin ato pa pengesa në territorin e vendin tonë”, thuhet në njoftim.

Sa i përket lejes për vozitje, MPB-ja njofton se nga ora 00:00 e datës 13 shkurt 2024 do të vlejë vetëm patentë-shoferi me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të veprojë në përputhje me ligjin dhe andaj apelojmë qytetarët që të mos drejtojnë automjet nëse nuk kanë patentë-shoferi të vlefshëm me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu paralajmërojmë se në rast të dëmtimit të shkaktuar nga një aksident i mundshëm trafiku, për shkak të patentë-shoferit të pavlefshëm, qytetarët që nuk kanë patentë-shoferi të vlefshëm do të duhet të bartin pasojat e dëmtimit të mundshëm. Sa i përket afisheve NMK për targa, përsërisim se ato janë plotësisht falas për qytetarët”, përfundon njoftimi. /AlsatMk

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024