Përshkrimi i barnave nga mjekët në mënyrë elektronike po konsiderohet si nevojë e domosdoshme. Kjo meqë vlerësohet se lehtëson barrën e pacientëve, punën e farmacistëve dhe të vetë doktorëve. Të njëjtit thonë për KosovaPress, se digjitalizimi i recetës mjekësore do të ndikonte në zvogëlimin e mundësisë që pacientëve t’u jepen terapi të gabuara, si pasojë e shkrimit jo të mirë me dorë.
Zëvendësdrejtori i Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF-ve) në Prishtinë, Bujar Gashi tha se funksionimi i mangët i Sistemit Informativ Shëndetësor, po shkakton vështirësi të vazhdueshme, duke përfshirë edhe ngecjen e procesit të digjitalizimit të recetës mjekësore.
Ai shtoi se janë bërë mbi gjashtë muaj prej kur në të gjitha QKMF-të në Prishtinë, janë tërhequr printerët nga kompania përkatëse, kështu duke u pamundësuar doktorëve përshkrimin e terapive në mënyrë elektronike.
Se digjitalizimi i recetës mjekësore është i nevojshëm e thotë edhe farmacisti përgjegjës në një nga barnatoret në kryeqytet, Arbnor Alidema, i cili thotë për KosovaPress, tregon se shumë shpesh detyrohen që të thirrin mjekun që ka përshkruar terapinë për ta pyetur rreth saj, ngase nuk mund ta kuptojnë shkrimin.
Njëjtë mendon edhe kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, derisa thotë se shkruarja e recetës mjekësore në mënyrë klasike i dëmton pacientët. Sipas tij, jo gjithmonë ato që shkruhen nga mjekët, jepen nga farmacistët, si shkak i shkrimit jo të kuptueshëm nga këta të fundit.
Ndërkaq, qytetarët thonë se shkrimi i recetës mjekësore në mënyrë elektronike është dashur të bëhet që moti. Sipas tyre, kjo do të ndikonte në minimizimin e ngatërrimit të ilaçit, si shkas i dorëshkrimit jo të mirë.
Edhe Haki Kasumi vlerëson se duhet të ndryshojë mënyra klasike e shkrimit nga mjekët, për çka thotë se kjo do të zvogëlonte gabimet e mundshme.