Qytetarët në veri ende nuk i kanë pranuar faturat e rrymës, shumë nga ata nuk kanë as orëmatës
Tema
Lexohet për: 3 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Qytetarët e veriut të vendit ende s’kanë pranuar faturat e para për energjinë elektrike që kanë shpenzuar gjatë muajit janar, ndonëse faturimi pas më shumë se dy dekada pritej të nisë nga muaj i kaluar i këtij viti. Derisa nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), thonë se së shpejti pritet të shpërndahen faturat e energjisë në katër komunat veriore. Megjithatë, një javë më parë zëvendëskryeministri parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi ka theksuar se në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek konsumatorët e energjisë në veri.

KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga kompania “Elektrosever”, e cila është licencuar për furnizimin dhe faturimin me energji elektrike të Komunave me shumicë serbe, por që nuk kanë qenë të qasshëm.

Qytetarët të cilët tregojnë se nuk i kanë pranuar ende faturat, shumë prej tyre nuk kanë as orëmatës. Teksa ata janë shprehur të gatshëm të paguajnë për rrymën që shpenzojnë.

Milloshi, një qytetar nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se nuk ka pranuar ende faturë të rrymës, nuk ka as njehsor, por tha se do ta paguan sepse është obligim qytetar.

Edhe Gordana Vllajiq, një qytetare tjetër nga kjo pjesë e qytetit të Mitrovicës, tha se nuk ka marrë faturë dhe nuk ka njehsor, por do ta paguaj rrymën.

Svetomir Boshkoviq, theksoi se faturë të rrymës ende nuk ka pranuar, por njehsorin e ka në shtëpinë e tij, i cili është i vjetër më shumë se 30 vjet.

Ai shtoi se do të paguaj rrymën pasi t’i marrin faturat.

Ndërkaq, Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), tha se leximi i njehsorëve është në proces e sipër dhe pritet që së shpejti të shpërndahen faturat.

Sipas tij, në bazë të të dhënave preliminare, janë gjithsej rreth 22 mijë konsumatorë në pjesën veriore, të cilët gjatë këtij muaji duhet t’i shlyejnë borxhet për muajin janar.

Ai nuk ka dhënë detaje rreth mënyrës së faturimit, sidomos të atyre që janë pa njehsorë, dhe as për çmimin e kW nëse do të jetë i njëjtë sikurse në pjesët tjera të Kosovës, duke thënë se pret një raport nga Elektrosever-i, KEDS, dhe KOSTT rreth kësaj çështjeje.

Zëvendëskryeministri parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi ka theksuar se në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek përdoruesit e energjisë elektrike në veri të vendit.

Që nga viti 1999, banorët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit nuk kanë paguar për energjinë elektrike të cilën e kanë shpenzuar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024