Nis seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën
Lajme
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Sonte në Nju Jork ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, ku për herë të parë do të merr pjesë kryeministri Albin Kurti, ndërsa nga Serbia do të jetë presidenti Aleksandar Vuçiq.

Seanca mbahet me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Prishtinës zyrtare që euroja të jetë valuta e vetme e vlefshme për pagesa nga data 1 shkurt, gjë të cilën po e kundërshton Beogradi zyrtar që kërkon vazhdimin e përdorimit të dinarit serb.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me shefen e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla kanë udhëtuar tashmë drejt SHBA-së për të marrë pjesë në KS të OKB-së.

Në një postim në Facebook, Gërvalla ka shkruar se në seancë do të ballafaqohen me sulmet, gënjeshtrat dhe propagandën e Vuçiq ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka 15 anëtarë, 10 jo të përhershëm, mandati i të cilëve është i kufizuar në dy vjet Algjeria, Ekuador, Guajana, Japonia, Malta, Mozambiku, Republika e Koresë, Sierra Leone, Sllovenia dhe Zvicra dhe pesë të përhershëm SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina, të cilët kanë të drejtën e vetos.

Takimi do të drejtohet nga Carolyn Rodríguez-Birkett, përfaqësuesja e Përhershme e Guajanës në OKB, e cila të hënën mori kërkesën e Serbisë për të thirrur një sesion të jashtëzakonshëm të KS të OKB-së.

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit ka autoritetin të miratojë rezoluta, të cilat janë të detyrueshme për anëtarët e OKB-së.

Për të marrë vendime në Këshillin e Sigurimit pesëmbëdhjetë anëtarësh për të gjitha çështjet e rëndësishme, për shembull vendimet për zbatimin e masave të drejtpërdrejta që lidhen me zgjidhjen e konflikteve, kërkohet vota pozitive e nëntë anëtarëve.

Të gjithë anëtarët e përhershëm kanë të drejtën e vetos, e cila mund të përdoret për të parandaluar votimin e një rezolute.

Një votë negative nga një anëtar i përhershëm - një veto - parandalon miratimin e një propozimi, edhe pse ai mund të ketë shumicën e votave "po". Abstenimi nga votimi nuk konsiderohet veto.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024