Kurti ishte për vizitë ngushëlluese në familjen e profesorit Kadri Metaj
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti, ishte sot për vizitë ngushëlluese te familja e profesorit të ndjerë, Kadri Metaj. 

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti shprehu konsideratën e tij të lartë për kontributin e profesorit universitar Kadri Metaj në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave.

Shënimi i kryeministrit Kurti, në librin e kujtimeve:

“Prof. Kadri Metaj mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh të cilët sot i kontribuojnë Kosovës dhe shoqërisë.

Me jetën e tij të intelektualit të angazhuar dhe profesorit të Filozofisë, në veprat e tij të shkruara që do të lexohen gjatë, e gjejmë në punët dhe rolin tonë si frymëzim që nuk shuhet.

Me mall dhe nderim”.

Kurti kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të profesorit të ndjerë. Sot ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

Prof. Kadri Metaj doktoroi në vitin 1987 në Universitetin e Prishtinës kurse në vitin 1979 u zgjodh asistent në degën filozofi-sociologji. Nga viti 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë.

Po ashtu ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës.

Disa nga veprat e tij janë: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990, “Filozofia politike” më 2003 derisa përktheu edhe disa vepra nga fusha e filozofisë dhe estetikës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024