Salvini: Protestat me traktorë detyruan BE-në të kthejë mbrapshtë 'çmendurinë' e saj
Bota
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit të Italisë Matteo Salvini shprehu kënaqësinë të martën pasi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi tërheqjen e një ligji të propozuar që synonte të pakësonte përdorimin e pesticideve në BE, mes protestave me traktorë nga fermerët në shumë pjesë të Evropës, duke përfshirë Italinë.

“Rrofshin fermerët, traktorët e të cilëve po e detyrojnë Evropën të kthejë mbrapshtë çmendurinë e imponuar nga shumëkombëshet dhe e majta”, tha Salvini, kreu i partisë së djathtë Liga.

Von der Leyen i tha Parlamentit Evropian në Strasburg se Rregullorja e Përdorimit të Qëndrueshëm (SUR), e cila synonte të zvogëlonte përgjysmë përdorimin e pesticideve deri në vitin 2030, po tërhiqej, duke thënë se ajo ishte "bërë një simbol i polarizimit".

Megjithëse politikat e BE-së dhe Marrëveshja e Gjelbër, pjesë e së cilës është SUR, janë një faktor i madh në protestat e traktorëve, përfshihen edhe elementë të tjerë, si zemërimi i fermerëve për çmimet e larta të karburantit dhe vështirësitë me të cilat përballen shumë prej tyre, dhe pakënaqësia me disa politikat kombëtare.

Traktorë nga e gjithë Italia janë përdorur për të ardhur në Romë ditët e fundit dhe fermerët synojnë të organizojnë një demonstratë të madhe në kryeqytetin italian.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të hënën nga Tokio se qeveria ka bërë gjithçka që është e mundur për të mbështetur fermerët dhe sektorin bujqësor.

"Ne jemi takuar gjithmonë me fermerët, një nga sektorët kryesorë të cilit i kushtojmë vëmendje," u tha Meloni gazetarëve në kryeqytetin japonez.

Faktet, tha ajo, flasin vetë, duke përmendur "ligjet buxhetore përmes të cilave janë rritur burimet", rinegocimin e planit kombëtar të rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë pas Covid-it të financuar nga BE (NRRP) për të rritur fondet e disponueshme "nga 5 në 8 miliardë euro" dhe "përpjekja për të ofruar naftën".

“Ne gjithmonë mund të punojmë për të bërë më mirë dhe më shumë, unë jam gjithmonë e gatshme të dëgjoj kërkesat”, përfundoi ajo.

Edhe ministri italian i Bujqësisë Francesco Lollobrigida përshëndeti njoftimin e von der Leyen. /ANSA/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024