Rama nuk jep detaje për drejtorët që shkarkoi por jep emrat e ri në kabinetin qeverisës
Lajme
Lexohet për: 4 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama pa dhënë detaje për drejtorët që ka liruar nga detyra, ka njoftuar lidhur ndryshimet që ka bërë të disa drejtorive dhe drejtuesve të tyre.

Sipas një komunikatë të komunës, Rama ka thënë se këto dy vite kanë punuar shumë së bashku me ekipin dhe pavarësisht sfidave, kanë filluar procesin e transformimit të Prishtinës, duke nisur projekte madhore dhe duke përgatitur plot të tjera që do të fillojnë këtë vit e që kanë për synim ndryshimet pozitive të qytet.

“Rrjedhimisht, kam marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të Kryeqytetit. Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, kam marrë vendim që të bashkoj këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, Arbër Sadiki. Dua të falënderoj Drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim. Më tutje, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku. Ndërsa, Drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit. Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t'i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie. Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale. Një çështje tjetër që po preokupon shumë qytetarët e Prishtinës dhe ende nuk i kemi dhënë zgjidhje, janë qentë endacak. Andaj, sot kam kërkuar nga Drejtori për Siguri dhe Emergjenca që të ndyshojë gjendjen në mënyrë substanciale deri në fund të këtij viti. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, për mua është një prej elementeve më të rëndësishme të qeverisjes. Procesi i transformimit të Kryeqytetit kërkon punë e përkushtim të jashtëzakonshëm. Ky është një proces i gjatë në të cilin kërkohet konsistencë, vendosmëri dhe profesionalizëm. Ky është ristrukturimi i parë i qeverisjes në Kryeqytet në të mirë të Prishtinës dhe qytetarëve të saj, pa dallim”, ka thënë Rama.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
4
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024