Osmani: Aleatët tanë nuk kanë qenë asnjëherë kundër Kushtetutës së Kosovës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova i ka në krah aleatët ndërkombëtar, pasi ata nuk kanë qenë asnjëherë kundër Kushtetutës së Kosovës dhe as sundimit të ligjit. E para e shtetit, theksoi se rregullorja e BQK-së, nuk është kundër dinarit serb, por ka të bëjë me spastrimin e parave dhe parandalimin e korrupsionit. Mirëpo, nënvizoi nevojën që në bashkëpunim me aleatët të gjendet një rrugë efektive, përmes së cilës do të informoheshin qytetarët e Kosovës, përfshirë ata serbë për zbatimin e rregullorës së BQK-së.

Osmani në konferencë për media, së bashku me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Kosova ka obligim kushtetues zhbërjen e strukturave paralele, e cila rrjedh edhe nga marrëveshja e vitit 2013 me Serbinë.

Në anën tjetër, ministri gjerman Pistorius tha se rregullorja e BQK-së, është legjitime dhe realizueshme, mirëpo nevojitet një afat më i gjatë për zbatimin e saj. Ndërkaq, potencoi mbështetjen ushtarake për të garantuar sigurinë në Kosovë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, në vizitën e tij në Kosovë, bëri thirrje për maturi dhe kujdes në tensionet aktuale Kosovë-Serbi.

Nën anën tjetër, presidentja Osmani, duke folur për aksionet e Policisë së Kosovës, në zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, tha se vendi ka obligim që strukturat që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës të mos funksionojnë.

Osmani sërish theksoi se nga dëshmitë që i marrin nga institucionet e sigurisë, Serbia po vazhdon planifikimin e sulmeve të reja terroriste në Kosovë.

Megjithëse ministri gjerman, Pistorius, tha se Gjermania nuk është duke bërë hetime për sulmin terrorist në Banjskë, tha se Kosova ka mbështetje ushtarake për të garantuar sigurinë, derisa bëri të ditur se një kontingjent i KFOR-it gjerman, do të vjen në Kosovë në pranverë.

Ai po ashtu bëri thirrje që të dialogu Kosovë-Serbi të rinis së shpejti.

E pyetur nga gazetarët, presidentja Vjosa Osmani foli edhe për raportet e tij me kryeministrin Albin Kurti, ku tha se qëllimet i kanë të përbashkëta, por metodat për t’i arritur ato mund t’i kenë të ndryshme.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në vizitën e tij të hënën në Kosovë, është takuar edhe me kryeministrin, Albin Kurti dhe homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024