Dita Botërore Kundër Kancerit
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Sot shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit.

Shifrat më të fundit për kancerin nga dega e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kancerin, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), e bëjnë të qartë që kanceri është duke u rritur nga 14.1 milionë raste të reja dhe 8.2 milionë vdekje në mbarë botën në vitin 2012 në 20 milionë raste të reja dhe 9.7 milionë vdekje një dekadë më vonë.

IARC parashikon se do të ketë mbi 35 milionë raste të reja me kancer deri në vitin 2050, një rritje 77% nga nivelet e vitit 2022 dhe se vdekjet do të jenë gati dyfishuar që nga 2012 në më shumë se 18 milionë.

IARC tha se përdorimi i duhanit, konsumi i alkoolit dhe obeziteti ishin faktorët kryesorë për rritjen e rasteve të kancerit.

IARC parashikon që vendet me të ardhura më të larta do të regjistrojnë 4.8 milionë raste të reja në vitin 2050, por vendet me të ardhura më të ulëta do të përjetojnë rritjen më të madhe proporcionale të rasteve. Vdekshmëria nga kanceri në vendet e fundit parashikohet pothuajse të dyfishohet.

Observatori global i kancerit i IARC, i cili mbulon 185 vende dhe 36 lloje kanceri, tregon se 10 lloje të kancerit përbënin rreth dy të tretat e rasteve dhe vdekjeve të reja globalisht në vitin 2022.

Kanceri i mushkërive është kanceri më i shpeshtë i diagnostikuar në mbarë botën, duke përbërë 12.4% të rasteve të reja dhe 18.7% të vdekjeve. Kanceri i gjirit femëror është forma e dytë më e zakonshme, por ndërsa përbën 11.6% të rasteve, shkakton më pak se 7% të vdekjeve. Shkaqe të tjera kryesore të vdekjes përfshijnë kancerin e mëlçisë dhe stomakut. 

Të gjitha vendet mund të ndërmarrin hapa për të përmirësuar diagnostikimin e hershëm të kancerit, sipas udhëzuesit të OBSH-së për diagnostikimin e hershëm të kancerit tre hapat e diagnostikimit të hershëm janë:

-  përmirësimi i ndërgjegjësimit publik për simptomat e kancereve të ndryshme dhe inkurajimi i njerëzve që të kërkojnë kujdesin kur paraqiten ato simptoma,

- investimi në fuqizimin dhe pajisjen e shërbimeve shëndetësore dhe trajnimin e  profesionistëve shëndetësorë ashtu që ata të mund të kryejnë diagnostikimin e saktë dhe me kohë,

- sigurimin që njerëzit që jetojnë me kancer të mund t’i qasen trajtimit të sigurt dhe efektiv, përfshirë zbutjen e dhembjes, pa përjetuar vuajtje frenuese personale apo financiare./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024