Sigurimi i grupit të gjakut Rh negativ, telash i kamotshëm
Intervista
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Rritja e numrit të aksidenteve, traumave, sëmundjeve malinje dhe atyre kronike ka ndikuar që gjithnjë e më shumë të rritet kërkesa për furnizim me gjak nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ). Klinikat në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe ato private po operojnë me rezervat e gjakut që sigurohen nga kjo qendër. Derisa, Shërbimi Emergjent është ai që ka më së shumti nevojë të furnizohet me doza të gjakut, për shkak të rasteve që trajtohen aty.

Gjatë vitit të kaluar, dhurimi i gjakut nga mbi 30 mijë persona, ka qenë arsyeja e shpëtimit të mijërave jetëve.

Pavarësisht vullnetarëve të shumtë për ta bërë këtë akt që konsiderohet të jetë human, ndodhë që familjarët e pacientëve detyrohen të kërkojnë doza gjaku, për shkak se grupi Rh negativ konsiderohet të jetë më i rralli.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, kryeudhëheqësja e Departamentit për Dhurim të Gjakut në QKKTGJ, Safete Maliqi-Qorrmehmeti, derisa potencon se ndonjëherë mund të kenë telashe më rezervat e grupit të gjakut Rh negativ, ngase sipas saj, personat me këtë grup gjaku janë me përqindje më të ulët.

Përkundër kësaj, ajo thotë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, sepse kjo qendër angazhohet vazhdimisht për të mbuluar të gjitha kërkesat.

Shefja e këtij departamenti, Safete Maliqi-Qorrmehmeti, tha se aktualisht gjendja me rezervat e gjakut është e mirë, derisa thekson se kërkesat nga klinikat për furnizim me gjak janë në rritje, për shkak të shtimit të rasteve të cilat kanë nevojë për trajtim me gjak dhe produktet e tij.

Ajo potencon se në fillim të vitit kalendarik bëhet hartimi i planprogramit për dhurimin e gjakut dhe në bazë të tij bashkëpunojnë me strukturat shëndetësore, përgjegjësit e institucioneve dhe qytetarët të cilët i përgjigjen në mënyrë pozitive dhurimit të gjakut.

Përveç këtyre, Maliqi-Qorrmehmeti e quan inkurajues faktin që ka pasur rritje të vullnetarëve për dhurimin e gjakut, derisa tregon se gjatë vitit të kaluar, rreth 32 mijë persona kanë shprehur dëshirën për të dhuruar gjak.

Ajo thotë se të dy gjinitë janë të përfshirë në këtë akt human, derisa potencon se ka raste ku e tërë familja dhurojnë gjak.

Dhurimi i një doze gjaku zgjat 5 deri në 15 minuta. Ndërkaq, çdo person i cili gëzon shëndet të mirë, peshon 50 kg e lart dhe ka moshën 18 – 60 vjeç, mund të dhurojë gjak.

Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje infektive si (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, Sifiliz), që kanë kryer transplante, kanë diabet insulinovartë, sëmundje autoimune, tumore malinje, epilepsi, sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi, si dhe përdoruesit e alkoolit dhe drogës.

Sasia maksimale e gjakut të marrë sipas ligjit në fuqi për secilin dhurues është 450ml (±10%).

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të kontrollohen të gjitha dhurimet e gjakut për  infeksione përpara se të përdoren.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
484
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024