Aliu e demanton PDK-në në Shtime, i thotë se gënjeu publikisht për shpenzimet e vitit 2023
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu ka thënë se është kulmi i hipokrizisë kur Partia Demokratike e Kosovës, flet për shpenzimet. Ai duke publikuar shpenzimet e dy viteve qeverisje, si dhe shpenzimet në kohën kur kjo komunë drejtohej nga PDK-, ka thënë se shpifjet nuk kalojnë.

Ali u ka shkruar në Facebook se pas tentativave të shumta të dështuara që përmes shpifjeve, manipulimeve e lajthitjeve ta pengojnë mirëqeverisjen e LVV-së, PDK ka filluar sulmet e dezinformimet për ta njollosur pastërtinë e tyre shembullore të qeverisjes.

“Natyrisht, sikur në rastet e kaluara ku kanë shpenzuar edhe më shumë mund, financa e energji, do të dështojnë njësoj edhe në këto shpifje të reja nga këta gënjeshtarë të vjetër. Për këto dy vite të qeverisjes sonë, kemi shpenzuar më pak se qeverisja e PDK-së në vetëm një vit, si psh. viti 2018. Na akuzuan për 7.666 euro shpenzime në dreka zyrtare gjatë vitit 2023, ndërsa qeverisja e PDK-së, vetëm gjatë vitit 2018, shpenzoi në dreka e darka hiç më pak se 22,970 euro, pra trefish më shumë. Në vlerën e cekur për furnizim me pije dhe ushqim prej 45,479.32 euro janë përfshirë shpenzimet prej 19,145 euro të çerdhes “Albiona Asllani”, pastaj 18,804 euro nga Shtëpia e Komunitetit të Shëndetit, e nga Bufeja 4,854 euro ku presim delegacione të shumta, si dhe organizimi i disa manifestimeve në kuadër të Drejtorisë së Kulturës e bën shifrën 45,479.32 euro. PDK-ja duhet ta dijë se në vitin e kaluar kemi mirëpritur për 3 ditë me radhë një delegacion të gjerë nga Gjermania në përbërje të deputetëve e ish-ministrave, me ç'rast falë kësaj vizite pastaj kemi arritur bashkëpunime në dobi të nxënësve, sportistëve e artistëve tanë. Po ashtu, të gjitha ngjarjet tjera si ditët e shënuara për Veteranët, Dita e QKMF-së, Iftari për Këshillin e Bashkësisë Islame, koktejet për rastet e veçanta të promovimit të librave janë përfshirë në kategorinë e shpenzimeve të drekave zyrtare”, ka shkruar ai.

Aliu ka shtuar se me përgjegjësi të plotë, njofton të gjithë bashkëqytetarët e Shtimes dhe opinionin e gjerë publik se pretendimet e ngritura nga PDK në Shtime, lidhur me shpenzimet e vitit 2023, nuk përkojnë as për së afërmi me realitetin.

“Për PDK-në me siguri duket e çuditshme, mbase edhe e pamundur, sepse dikush që ka abuzuar me pushtetin si ta, nuk mund ta kuptojë, por më lejoni t’ua bëj me dije, që nga dita e parë e qeverisjes sime, as unë e asnjë nga vartësit e mi, për asnjë vizitë zyrtare që kemi realizuar jasht vendit, nuk kemi marrë asnjë mëditje, me qëllimin e vetëm për ta kursyer buxhetin e Komunës së Shtimes, për shkak të gjendjes së rëndë financiare si pasojë e gjakderdhjes financiare që e ka shkaktuar PDK-ja me udhëheqjen e saj për 21 vjet. Administrata aktuale të cilën e udhëheq prioritet e ka zhvillimin e qëndrueshëm financiar për Komunën dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për të gjithë qytetarët e Shtimes, pa asnjë dallim. Në fotografitë më poshtë shfaqen më detajisht shpenzimet e bëra në qeverisjen e PDK-së dhe në qeverisjen e tanishme. Shpifjet nuk kalojnë”, ka shkruar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024