Asani: Shqiptarët të vetmit që e kujtojnë me kaq admirim presidentin Wilson
Kulturë
Lexohet për: 8 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Shteti ynë kombëtar, përveç kontributit të etërve të kombit tonë, është bërë veçmas fal aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila disa emra të përveçëm, ndër të cilët i pari është Presidenti Woodrow Wilson, që i dha frymë jete Shqipërisë, i dyti është Presidenti Klinton, që e shpëtoi kombin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi dhe i treti është Presidenti Bush i Riu, që Shqipërisë ia hapi dyert për NATO, ndërsa Kosovës ia shtriu dorën për ta ngritur në shtet të pavarur dhe sovran.

Kështu ka thënë profesori Skender Asani në shënimin e 100 vjetorin e vdekjes së Presidentit W.Wilson të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

Ai theksoi se shqiptarët, por pse jo edhe si shtete në Ballkanin Perëndimor, vazhdojnë të jenë mirënjohës për kontributin e Presidentit Wilson për paqen në botë dhe për mundësinë dhe mendësinë e re të shekullit XX, që kombet të garojnë në ndërtimin e shteteve moderne për të garantuar paqe dhe kohezion mes njerëzve.

Fjalimi i plotë:

Sot, një shekull më parë, ka qenë dita e parafundit e jetës së Presidentit të 28-të amerikan, Woodrow Wilson. Pas mbylljes së kësaj dite, të nesërmen – më 3 shkurt 1924 – ai u nda përgjithmonë nga kjo botë, duke lënë pas vetes një trashëgimi të begatshme politike, intelektuale e humane, e cila vazhdon të japë fryte edhe sot e gjithë ditën.

I lindur më 28 dhjetor 1856, ai do t’i mbyllë sytë në moshë relativisht të re, duke qenë vetëm 67 vjeç. Por, ashtu siç e dimë jo vetëm ne historianët, njerëzit e mëdhenj vijnë në këtë botë për ta kryer një mision dhe atyre nuk u duhet një shekull i tërë për ta ndërtuar epokën e tyre. Atyre u mjafton edhe vetëm një çast për ta lënë gjurmën e tyre shekullore. I tillë ishte Presidenti Wilson.

Në kohën kur botën e përfshiu Lufta e Madhe, në vitet 1914-1918, kur po binin tre perandori shekullore dhe po ngriheshin shtetet kombe, ishte një arkitekt që me delikatesë po e dizajnonte këtë botë të re, ku – veç tjerash – në hartë e gjeti veten edhe kombi ynë. Duke e vendosur parimin e vetëvendosjes së kombeve në Konferencën e Paqes, ai i mësoi liderët europianë se duhej hequr dorë nga mendësia kolonizuese e egocentrike, për të ndërtuar një botë ku secili komb do ta projektonte të ardhmen e tij. Në këtë mënyrë, edhe shqiptarët për herë të parë në histori e gjetën shtegun, përmes të cilit mund të barazoheshin me kombet e kontinentit të vjetër. Ndonëse veprimtaria e tij politike nuk ishte ekskluzivisht për shqiptarët, sepse ai e shihte botën përtej këtyre kornizave, s’do mend se më shumë se gjithkush kontributit të tij iu gëzuan shqiptarët. Pas disa shekujve të kaluar në Perandorinë Osmane, kur kombet fqinjë e kontestonin edhe ekzistimin e një kombi të veçantë shqiptar, Presidenti Wilson e hapi rrugën që edhe shqiptarët ta kenë shtetin e tyre kombëtar. Prandaj ne, më shumë se gjithkush tjetër, jemi mirënjohës për të dhe prandaj ne jemi të vetmit që e kujtojmë me kaq admirim dhe nderim edhe sot personalitetin e tij.

E se ne jemi komb falënderues dhe mirënjohës, këtë jemi munduar ta dëshmojmë edhe në vepër. Besoj se shumica prej e jush e di dhe, madje, kjo sallë flet vetvetiu, por dua t’jua kujtoj se në 100-vjetorin e Konferencës së Paqes, më 2019, një delegacion i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup qëndroi në vendlindjen e Presidentit Wilson, në Staunton të Virginias, duke u shndërruar në befasi të këndshme për drejtuesit e këtij vendbanimi të vogël. Me këtë rast, në Muzeun dhe Bibliotekën Presidenciale, që janë krijuar në shtëpinë ku ka lindur Presidenti, u organizua një ceremoni falënderimi, ndërsa në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington u hap edhe një ekspozitë dokumentare dhe u promovua pulla postare e Postave të Maqedonisë së Veriut me portretin e Presidentit. Përveç kësaj, ky delegacion e vizitoi edhe shtëpinë në të cilën Presidenti i ka kaluar ditët e fundit të jetës, në Kalorama të Uashingtonit, dhe vendosi lule të freskëta mbi varrin e tij në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.

Nëse më lejoni të dal prej modestisë, do të them se bashkëvendësit e Presidentit Wilson ishin të mahnitur nga respekti që po i bënim ne atij, andaj na ofruan gjithçka që kishin në dispozicion e që kishte të bëjë me shqiptarët. Në këtë mënyrë, por edhe me vetangazhim plotësues, ne siguruam shumë dokumente, siguruam letrat dhe falënderimet e shqiptarëve për Presidentin, madje edhe një portret që shkodrani Guri Duro ia kishte bërë atij qysh më 1918 dhe një kopje e tij sot është pjesë e kësaj ekspozite të përhershme në sallën që e kemi pagëzuar pikërisht me emrin “Woodrow Wilson”. Këtu e kemi edhe letrën e ngushëllimit që e shprehte shteti shqiptar me rastin e kalimit të tij në amshim. Duke mos përfunduar me kaq, ne ishim ura lidhëse ndërmjet Stauntonit të Presidentit Wilson dhe Komunës së Çairit në Shkup, ndërsa, me nismën tonë, para kësaj komune në Shkupin e vjetër sot është edhe një shtatore e Presidentit Wilson, duke e zgjeruar kështu falënderimin që ka zënë fill me bustin e këtij presidenti në Tiranë, të vendosur kohë më parë. 

Krejt këtë përkushtim e dedikim, si edhe këtë përkujtim sot, e bëjmë me të vetmin qëllim, që së pari t’ia përsërisim vetes e pastaj t’ua ngulisim edhe brezave pas nesh se ne jemi komb mirënjohës e falënderues për faktin se shteti ynë kombëtar, përveç kontributit të etërve të kombit tonë, është bërë veçmas falë aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, kjo aleancë i ka disa emra të përveçëm, ndër të cilët i pari është Presidenti Wilson, që i dha frymë jete Shqipërisë, i dyti është Presidenti Klinton, që e shpëtoi kombin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi dhe i treti është Presidenti Bush i Riu, që Shqipërisë ia hapi dyert për NATO, ndërsa Kosovës ia shtriu dorën për ta ngritur në shtet të pavarur dhe sovran. Shprehur ndryshe, presidentët Klinton dhe Bush e vazhduan aty ku e la Presidenti Wilson.

E duke dalë përtej subjektivizmit dhe temës së falënderimit, do të thosha se – si pak presidentë të tjerë – Presidenti Wilson mbahet mend në histori edhe si fitues i Çmimit Nobël për Paqe, të cilin e mori si meritë për paqen e arritur pas Luftës së Parë Botërore, ndërsa merita e tij e dytë është projekti i Lidhjes së Kombeve, që mund të konsiderohet si një pararendëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me të cilën ai synonte t’i zgjidhë mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndëretnike e ndërracore, duke propozuar madje dhe gjykata ndërkombëtare të drejtësisë, për të siguruar paqe afatgjate në botë. Prandaj, idetë e tij kaluan përtej dimensionit të diskursit të rëndomtë politik, duke u shndërruar në mendim politik, që edhe në shkencë njihet si Wilsonizëm.

Për ta mbyllur këtë fjalë, do të thosha se ne si shqiptarë, por pse jo edhe si shtete në Ballkanin Perëndimor, vazhdojmë të jemi mirënjohës për kontributin e Presidentit Wilson për paqen në botë dhe për mundësinë dhe mendësinë e re të shekullit XX, që kombet të garojnë në ndërtimin e shteteve moderne për të garantuar paqe dhe kohezion mes njerëzve.

E duke ju falënderuar që sot ishit në këtë takim përkujtimor, duke e falënderuar Postën e Maqedonisë së Veriut për botimin e pullës së re në 100-vjetorin e vdekjes së Presidentit Wilson, dëshiroj edhe njëherë ta falënderoj SHBA-në për gjithçka që kanë bërë dhe vazhdon të bëjë për kombet e vogla, siç jemi edhe ne shqiptarët.

Qoftë i përjetshëm kujtim për Presidentit Wilson dhe qoftë e përjetshëm miqësia shqiptaro-amerikane!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024