Policia rajonale e Prishtinës shpalos objektivat kryesore për 2024
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjatë vitit 2023, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka trajtuar mbi 20 mijë raste të veprave penale, ku janë kryer mbi 800 plane operative në parandalimin e krimit dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Kështu u tha në prezantimin e raportit vjetor të punës të vitit 2023 nga Drejtoria Rajonale e Policisë sot në Prishtinë.

Drejtori rajonal, nënkolonel Basri Shabani derisa shpalosi raportin e punës, tha se me qëllim të përmirësimit të situatës dhe parandalimin e aksidenteve, në komunikacion rrugor janë shqiptuar mbi 12 mijë gjoba më shumë se 2022 dhe janë konfiskuar mbi dy mijë patentë shoferë.

Ndër të tjera, nënkolonel Shabani tha se është shkurtuar koha e reagimit policor në 14 minuta sa ishte 17 në vitin 2022. Ai potencoi se gjatë vitit të kaluar, janë pranuar mbi 300 mijë thirrje në numrin 192.

Shabani shtoi se në vazhdimësi është punuar në drejtim të realizimit të objektivave që çojnë në përmirësimin e parametrave të rendit për sigurinë publike.

Ndërkaq, major Bekim Bislimi, tha se ndër objektivat e kësaj drejtorie për 2024 janë parandalimi dhe lufta kundër kriminalitetit, hapja e zyrave sektoriale, hapja e dy nënstacioneve në Komoran dhe Hajvali, forcimi i bashkëpunimit me institucionet e tjera të sigurisë.

Drejtori i Divizionit për Siguri në Policinë e Kosovës, Arbnesh Ajvazi tha se ndër sfidat më të mëdha është veriu i vendit, për çka gjatë vitit të kaluar për shkak të situatave të zhvilluara, stafi ka qenë i ngarkuar me lëvizje të vazhdueshme atje, por pavarësisht kësaj ia kanë dalë ta përmbyllin me sukses misionin e tyre. /Z.Zeneli

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024