Rastet globale të kancerit pritet të rriten mbi 75% deri 2050, parashikon OBSH
Shëndetësi
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Rastet globale të kancerit parashikohet të rriten me më shumë se 75% deri në vitin 2050, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shifrat më të fundit për kancerin nga dega e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kancerin, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), e bëjnë të qartë që kanceri është duke u rritur nga 14.1 milionë raste të reja dhe 8.2 milionë vdekje në mbarë botën në vitin 2012 në 20 milionë raste të reja dhe 9.7 milionë vdekje një dekadë më vonë.

IARC parashikon se do të ketë më shumë se 35 milionë raste të reja me kancer deri në vitin 2050, një rritje prej 77% nga nivelet e vitit 2022 dhe se vdekjet do të jenë gati dyfishuar që nga viti 2012 në më shumë se 18 milionë.

IARC tha se përdorimi i duhanit, konsumi i alkoolit dhe obeziteti ishin faktorët kryesorë për rritjen e rasteve të kancerit.

IARC parashikon që vendet me të ardhura më të larta do të regjistrojnë 4.8 milionë raste të reja në vitin 2050, por vendet me të ardhura më të ulëta do të përjetojnë rritjen më të madhe proporcionale të rasteve. Vdekshmëria nga kanceri në vendet e fundit parashikohet pothuajse të dyfishohet.

"Ndikimi i kësaj rritjeje nuk do të ndihet në mënyrë të barabartë në të gjithë vendet," tha Freddie Bray, kreu i degës së mbikëqyrjes së kancerit të IARC.

Observatori global i kancerit i IARC, i cili mbulon 185 vende dhe 36 lloje kanceri, tregon se 10 lloje të kancerit përbënin rreth dy të tretat e rasteve dhe vdekjeve të reja globalisht në vitin 2022.

Kanceri i mushkërive është kanceri më i shpeshtë i diagnostikuar në mbarë botën, duke përbërë 12.4% të rasteve të reja dhe 18.7% të vdekjeve. Kanceri i gjirit femëror është forma e dytë më e zakonshme, por ndërsa përbën 11.6% të rasteve, shkakton më pak se 7% të vdekjeve. Shkaqe të tjera kryesore të vdekjes përfshijnë kancerin e mëlçisë dhe stomakut. /The Guardian

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024