Lutjet e Mëngjesit në Uashington, cilët deputetë pritet të marrin pjesë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Edhe këtë vit, fundi i janarit do t’i gjejë disa deputetë të Kuvendit të Kosovës në Uashington, të cilët do të udhëtojnë atje për të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit. Por cilët deputetë deri më tani kanë marrë ftesa nga Kongresi Amerikan?

Nga Partia Demokratike e Kosovës ftesë nga Kongresi Amerikan ka marrë kryetari Memli Krasniqi, si dhe deputetet Ganimete Musliu e Ariana Musliu-Shoshi.  

Krasniqi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress tha se është ftuar, por për shkak të angazhimeve të paraplanifikuara nuk do të merr pjesë këtë vit.

“Unë jam i ftuar edhe këtë vit në Mëngjesin e Lutjeve, por për shkak të angazhimeve të paraplanifikuara, nuk do të marr pjesë këtë vit,” u shpreh Krasniqi.

Në anën tjetër, deputetja tjetër opozitare e PDK-së, Ganimete Musliu konfirmoi se do të jetë prezente në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit.

“Po, jam e ftuar dhe do të marrë pjesë,” konfirmoi Musliu.

Ndërkaq, deputetja tjetër e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tregoi se nuk do të jetë prezente për shkak se Kuvendi nuk i mbulon shpenzimet për të gjithë, teksa shtoi kjo është shkelje e të drejtave të deputetit.

Ajo madje dërgoi vendimin ku thuhet se “Nga buxheti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të mbulohen shpenzimet e udhëtimit, të akomodimit, të pjesëmarrjes dhe mëditje, përveç shpenzimeve të pjesëmarrjes për deputetin e dytë, të cilat nuk do të mbulohen nga buxheti i Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Po jam e ftuar, por nuk do të marr pjesë sepse Kuvendi nuk i mbulon shpenzimet për të gjithë. Siç po shihet në vendim dhe kjo është shkelje e të drejtave të deputetit,” u shpreh Shoshi.

Në anën tjetër, prej LDK-së, ftesë ka marrë deputeti Armend Zemaj. Ai tha se është i rregullt prej vitit 2010, dhe sa herë ato të mbahen, ai do të jetë aty.

“Po, i rregullt jam unë aty, numër një jam prej 2010-ës, dhe vitin e ardhshëm sa herë të mbahet, veç ishalla jam shëndosh e rahat, se aty më ke”, konfirmoi Zemaj për KosovaPress.

Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ka konfirmuar se ftesë për këtë ceremoni ka marrë kreu i partisë, Ramush Haradinaj, dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Kryetari Ramush Haradinaj dhe deputeti Besnik Tahiri do të udhëtojnë në ShBA për të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit, ku ndër tjerash kryetari Haradinaj në agjendë ka edhe disa takime tjera me rëndësi gjatë qëndrimit në ShBA,” konfirmon Xhemajli për KosovaPress.

KosovaPress gjithashtu ka telefonuar zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziun, por ai nuk është përgjigjur.

Njejtë nuk është përgjigjur edhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Ceremonia e Mëngjesit të Lutjeve mbahet me 1 shkurt që nga viti 1997. Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë shumë liderë, diplomatë dhe përfaqësues të shteteve nga mbarë bota. /A.Shala/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024