Përvjetori i lindjes së Elena Gjikës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Më 22 janar 1828, u lind në Bukuresht Elena Gjika (Dora D’Istria).

Ajo u rrit në një kostelacion familjar, si e bija e Mihal Gjikës, themelues i muzeut të parë kombëtar në Rumani dhe e Katarina Gjikës, lëvruese në përkthim. Gjika kreu studime të thelluara në degën e letërsisë në epiqendrat e jetës akademike evropiane (Austri, Itali dhe Gjermani). 

Në vitin 1849 do të kthehej përsëri në vendin e saj për të vënë kurorë me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski. Rusia do të ishte vendqëndrimi i saj për disa vjet, prej të cilit do të vendoste të largohej pasi mbeti vejane.

Gjika ndërmori edhe një sërë udhëtimesh e përpiloi studime të një game interesash.

Vepra e saj e parë e botuar në vitin 1855 titullohej “Jeta monastike në Kishën Lindore” (La vie dans l'Eglise monastique Orientale), ku autorja apelonte për shfuqizimin e urdhrave të manastirit.

Ndërkaq, barazia gjinore do të ishte kryefjalë e korpusit të publikimeve të Gjikës.

Në shkrimin “Gratë në Orient” (“Les femmes en Orient”, 1859) dhe “Rreth grave, nga një grua” (“Des femmes, par une femme”, 1869), ajo qëmtonte gjegjësisht mbi emancipimin e grave në Levant (Mesdheu Lindor) dhe identifikonte dallimet në trajtimin e tyre mes Evropës Jugore dhe Gjermanisë.

Gjika vdiq në Firence më 17 nëntor 1888, në moshën 60-vjeçare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024