Malisheva probleme të vazhdueshme me rrymë, po dëmtohen qytetarët dhe bizneset
Tema
Lexohet për: 4 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Edhe ky dimër i gjeti qytetarët e Malishevës me probleme të ndërprerjes së energjisë elektrike për orë të tëra. Ata po detyrohen që të përdorin qirinj dhe ndriçues për të bërë zgjidhje. Kjo situatë po u krijon vështirësi edhe bizneseve, derisa po u kushton edhe me bllokim të llogarive bankare. Ata thonë se po detyrohen të kthehen nga puna më herët për shkak se familjarë të tyre të moshuar po frikësohen nga ”terri”.

Nga Komuna e Malishevës thonë se janë ndër të vetmit në nivel vendi që po e pësojnë këtë situatë, derisa potencojnë se periudha e festave të fundvitit kur edhe kanë ardhur mërgimtarët, ka qenë më e rëndë sa i përket problemeve me rrymë.

Ata thonë se kanë marrë një premtim nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) se nga data 20 dhjetor të vitit të kaluar do të fillonte rregullimi i linjës, ku një kabllo bashkë me disa pajisje të avancuara që do ta ruanin forcën e energjisë elektrike, por që një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ndërkaq, nga KEDS-i potencojnë se ndërrimi i përçuesit aktual me të riun do të bëhet në pranverë, dhe hyn në kuadër të një zgjidhjeje emergjente për këtë rajon, derisa të realizohet plani i ndërtimit të Nënstacionit nga KOSTT-i.

Qytetari nga Malisheva, pronar i një biznesi, Hashim Hoxha për KosovaPress, u shpreh se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk ka mundur ta nxjerr Z- raportin, për çka ATK-ja, i ka bllokuar llogarinë bankare.

Hoxha shtoi se i duhet të dalë më herët nga puna për të shkuar tek nëna e tij 87 vjeçare, ngase ajo frikësohet kur nuk ka rrymë.

Ai kërkon zgjidhje nga komuna dhe KEDS-i për këtë situatë me të cilën qytetarët e Malishevës po përballen tash e disa vite.

Haradin Gegaj thotë se po ua ndërprenë energjinë elektrike pa i paralajmëruar. Ai ankohet edhe për çmimin e lartë të faturave të rrymës që i kanë paguar muajve të fundit.

Gegaj thotë se i gjithë pensionin e ka shfrytëzuar për ta paguar faturën e rrymës.

Edhe Razim Begaj thotë se po përballen çdo ditë me ndërprerje të energjisë elektrike, derisa shton se nuk po dinë se as ku qëndron problemi.

Ndërkaq, zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Valmir Gashi në një prononcim për KosovaPress, tha se ky është dimri i tretë me radhë që qytetarët e Malishevës po ballafaqohen me reduktimet e energjisë elektrike.  

Gashi tha se së fundi kanë bërë një memorandum, duke ndarë një hapësirë për ndërtimin e trafo stacionit. Ai shtoi se që projekti ideor ka kaluar, ndërsa ka pjesa e tenderimit akoma nuk ka filluar, siç thotë ai për arsye që KOSTT-i, i din më mirë.

Ai potencon se premtimi i KEDS-it, që nga 20 dhjetori i vitit 2023, do të fillonte rregullimi i linjës, nuk u përmbush.

Lidhur me këto, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi thotë se ndërtimi i një nënstacioni të ri, do të përmbushte kërkesat për konsum të qytetarëve të Malishevës. Megjithatë, shton se ndërtimi i tij nga ana e KOSTT-it, është shtyrë deri në 2027.

Krasniqi thekson se KEDS-i, do të bëjë për herë të parë implementimin e instalimit të “super përçuesit”, duke eliminuar përçuesin aktual.

Ai shton se ndërrimi i përçuesit aktual me të riun, do të bëhet në pranverë dhe se hyn në kuadër të një zgjidhjeje emergjente për këtë rajon, derisa të realizohet plani i ndërtimit të Nënstacionit nga KOSTT-i./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024