“Film Flaka” solli dy filma për realitetin e para luftës dhe bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe
Kulturë
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Nata e dytë e “Film Flakës”, që po mbahet në kuadër të manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, para publikut gjilanas ka sjellë dy filma të metrazhit të shkurtër “Kanarinat e dinë” dhe “Daullet e rezistencës”, që të dy me temë përafërsisht të njëjtë, nga peripecitë e popullit shqiptar nëpër të cilat kanë kaluar në prag, gjatë dhe pas luftës më të fundit në Kosovë.Nëpërmjet një familje gjashtëanëtarëshe nga Prishtina, filmi i metrazhit të shkurtër “Kanarinat e dinë”, trajton gjendjen në Kosovë në prag dhe gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, ku personazhet jetojnë nën ankthin se çfarë do të sjellë e nesërmja.

Ky film është i Kaltrina Krasniqit e në të cilin paraqiten aktorë të njohur kosovarë Luan Jaha, Auritë Agushi, Shengyl Ismajli, Sylejman Lokaj e të tjerë.

Filmi i dytë i shfaqur në këtë mbrëmje “Daullet e rezistencës”, futet në radhët e filmit dokumentar e në të rrëfehet për realitetin në Kosovë para luftës gjatë viteve të nëntëdhjeta, duke u përshkruar të gjitha momentet që ka kaluar Kosova që prej bashkëjetesës së rrejshme, demonstratave të minatorëve, përzënien e punëtorëve shqiptarë nga puna, largimin nga televizioni, helmimet e nxënësve, përzënien e tyre nga shkollat, mësimin nëpër shtëpi-shkolla e ku flasin nxënës e mësimdhënës të dikurshëm që organizuan mësimin nëpër shtëpi, shitore, bodrume, banesa private e gjetiu.

Në fakt ky film tregon për përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës organizimin e jetës nën kushte okupimi dhe marrjen formë të jetës nën kushte të tilla, por edhe për demonstratat e vazhdueshme deri te organizimi luftarak.

Regjinë e këtij filmi e ka bërë Mathieu Jouffre, që është edhe skenarist bashkë me Besa Lucin, që njëkohësisht ishte edhe producente.

Në mbrëmjen e fundit të “Film Flaka”, do të shfaqen edhe dy filma të tjerë të metrazhit të shkurtër “Tisa” të Valter Lucajt dhe “Rojtari i Bjeshkëve” i  Antoneta Kastratit.

 “Film Flaka”, është pjesë e kalendarit të “Flakës së Janarit 2024”,  pasi paraprakisht drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Kushtrim Zeqiri dhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike e Kosovës, Blerta Zeqiri, kishin zyrtarizuar memorandumin e bashkëpunimit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024