Montgomery: Blerja e raketave Javelin, vendim i duhur
Lajme
Lexohet për: 5 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Autoritetet në Kosovë dhe zyrtarët amerikanë konfirmuan javën e kaluar se Kosova është në proces të blerjes së 246 raketave antitank Javelin dhe kërkesa  pritet të shqyrtohet nga Kongresi amerikan, që jep miratimin përfundimtar për shitjen e armëve vendeve të huaja.

Mark Montgomery, drejtor pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Washington, admiral në pension i forcave detare amerikane, ka një përvojë të gjatë me ushtrinë me amerikane.

Ai ka shërbyer si drejtor politikash në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura, kur ai drejtohej nga senatori John McCain, si dhe në Komandën e Ushtrisë Amerikane në Evropë, përgjegjës për planifikimin dhe strategjinë. Vendimi për të siguruar raketat Javelin, thotë ai “është i menduar mirë”.

“Për të miratuar një kërkesë të tillë duhet shumë planifikim dhe përpjekje ndërinstitucionale, që do të thotë se ana politike, ekonomike dhe ushtarake e vlerësimit të qeverisë amerikane rreth Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, u pajtuan që kjo është gjëja e duhur për të bërë,” tha ai.

Montgomery thotë se mesazhi që përcillet me shitjen e sistemit të përparuar Javelin për Kosovën ka synime diplomatike.

Osmani-Hovenier diskutojnë për Programin e Shitjeve Ushtarake nga SHBA • KosovaPress

“Ne e dimë se duam t’i sigurojmë Kosovës pajisje të nevojshme për të krijuar stabilitet brenda kufijve të saj nga çfarëdo përdorim force nga jashtë. Sistemi Javelin është një armë e përsosur, pasi është një armë fantastike mbrojtjeje për të frenuar një sulm të mundshëm me automjete të blinduara ndaj Kosovës,” tha ai.

Sipas tij, sistemi Javelin, i cili u bë i famshëm nga përdorimi në Ukrainë, në përballje me sulmin e Rusisë, është i efektshëm, si në aspektin parandalues ashtu edhe atë buxhetor dhe në rrafshin strategjik, është hapi i duhur.

Raketat Javelin, thotë Montgomery, janë një nga sistemet më të kërkuara të arsenalit ushtarak amerikan – ato po kërkohen nga Ukraina, nga shumë shtete të Evropës Lindore dhe shtetet e Baltikut, si dhe nga Tajvani e Rumania.

“Mendoj se ky sistem bën ndryshimin, jo sa i përket kapacitetit për të bërë diçka dramatike, por si një sistem mbrojtës. Vlerësimi i Shteteve të Bashkuara është se Kosova duhet të pajiset me sistem armësh të avancuara. Kjo është armë që përdoret nga një ushtar i vetëm, që do të thotë se ne nuk po u japim pajisje të shkallës së lartë të manovrimit ushtarak, por po u ofrojmë atë që ju duhet. Dhe po i dërgojmë mesazh çdo armiku potencial, se Kosova ka pajisjet që i duhen për të frenuar një sulm të mundshëm,” tha Montgomery.

Përveç raketave Javelin, Kosova kërkon të blejë edhe armë të tjera • KosovaPress

Montgomery, i cili ka punuar në dekadat e fundit në kapacitete të ndryshme me shtetet e Ballkanit, vlerëson se pajisja e Forcave të Armatosura të Kosovës me Javelin, që ndodh në kontekstin e ndryshuar gjeopolitik në Evropë për shkak të sulmit rus në Ukrainë dhe tensioneve në Ballkan, përfshirë incidentet si në Banjskë, të cilat ai i sheh të ndërlidhura me ndikimin rus dhe përkrahjen e Serbisë, po bëhet edhe si pjesë e një strategjie dalëse të NATO-s nga roli paqeruajtës në Kosovë.

Sipas tij, “Rusia nuk ka për qëllim që të shkaktojë ndonjë gjë të madhe në Ballkan, por kërkon destabilizim dhe kaos në mënyrë që ta largojë vëmendjen e NATO-s nga lufta në Ukrainë dhe në këtë aspekt ata janë ndihmuar edhe nga parteri i tyre tradicional Serbia.”

Ai thotë se NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë “një punë të shkëlqyer” në vendosjen e qëndrueshmërisë në rajon, përfshirë anëtarësimin e shumicës së shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia në NATO, por Kosova, sipas tij, mbetet një çështje ende e papërfunduar, për shkak të qëndrimit të Serbisë, e cila ndihmohet nga Rusia.

Rusia këtë vit, sipas Montgomery do të provojë të “krijojë kaos” në vende si Moldavia, në shtetet e Baltikut dhe ndoshta edhe në Ballkan.

Kërkesa për Javelin, Osmani: Kosova po hyn në fazë të re të fuqizimit të shtetit • KosovaPress

“Puna jonë është të vazhdojmë të krijojmë stabilitet në Kosovë, të sigurohemi që Forcat e Armatosura të Kosovës kanë pajisjet e duhura për të siguruar një ambient të sigurt për veten. Është e drejtë të thuhet se forcat e NATO-s kanë qëndruar në Kosovë shumë më gjatë nga sa ishte planifikuar fillimisht dhe ende nuk besoj se ekziston një afat përfundimtar për to. Dhe afati i largimit të tyre është vështirë të përcaktohet nëse nuk ekziston një forcë e aftë, e qëndrueshme që mund të krijojë një mjedis të sigurt në Kosovë,” shtoi ai.

Montgomery thotë se është e vështirë të parashikohet një shpërthim i ri i dhunës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por shton se mundësia ekziston meqë kjo është çështje e pazgjidhur mes palëve, dhe varet nga qëndrimi i Serbisë, nëse do të nxisë apo jo tensione. /VoA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024