Hasani vizitë në Podgoricë: Shqetësues roli i Rusisë për destabilizim të rajonit
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Në kuadër të turit treditor rajonal, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, u ndal këtë të enjte në Malin e Zi, ku zhvilloi dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun në Podgoricë.

Në fjalën e tij Hasani vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, por u ndal dhe te situata e sigurisë në rajon. Ai theksoi se Shqipëria sheh me shqetësim përpjekjet e Rusisë që kërkon të destabilizojë rajonin.

Gjithashtu ministri i Jashtëm shprehu shqetësimin dhe për situatën në veri të Kosovës dhe shtimin e retorikës që vë në pikëpyetje orientimin euro-atlantik të rajonit.

“Shqipëria, si një vend anëtar i NATO, e sheh me shqetësim rolin e aktorëve si Rusia, që kërkojnë të rrisnin tensionet e të shkaktojnë destabilizim të rajonit. Jemi të shqetësuar edhe nga zhvillimet e paradokohshme në Veriun e Kosovës e nga shtimi i një retorike që vë në pikëpyetje orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor nga disa forca e grupime në vende të ndryshme të rajonit. Jemi të shqetësuar edhe nga ngadalësimi i ritmit të reformave në disa prej vendeve të rajonit”, tha ai.

Kryediplomati shqiptar tha se për Shqipërinë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të udhëhiqet nga vlerat demokratike dhe një orientim i qartë euro-atlantik.

“Është pikërisht ky vizion i përbashkët që qëndron në themel të miqësisë mes vendeve tona. Ne besojmë që vende si Shqipëria e Mali i Zi, që udhëhiqen nga ky vizion, kanë sot detyrimin të punojnë më shumë për të çuar përpara reformat integruese dhe bashkëpunimin rajonal. Ky është edhe objektivi kryesor që do të informojë punën tonë gjatë kryesimit të disa nismave rajonale në vitin 2024, për çka do të mirëprisnim edhe bashkëpunimin maksimal të Malit të Zi si një vend mik e një partner i rëndësishëm në këtë rrugëtim”, theksoi Hasani.

Ai shtoi se Mali i Zi është një nga vendet e rajonit që ka avancuar më shumë në proceset integruese në BE.

“Ne shpresojmë që qeveria malazeze do ta përshpejtojë akoma më shumë ritmin e reformave sepse avancimi i çdonjërit nga vendet tona në procesin e integrimit është një kontribut i vyer për mbarë rajonin. Shpresoj që eksperiencat e mira të Malit të Zi t’i shërbejnë Shqipërisë, dhe ato të Shqipërisë t’i shërbejnë Malit të Zi, për një të ardhme  sa më të mirë e sa më  të begatë”, tha Hasani. /EuronewsAl

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024