Qytetarët ankohen për fatura të larta të energjisë, Kuvendi sot debaton për çmimet e rrymës
Tema
Lexohet për: 4 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Mësohet se është një numër i madh i ankesave të qytetarëve në KESCO për faturat e larta të energjisë elektrike, ndonëse nga KESCO nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me numrin e ankesave dhe natyrën e tyre. Ndërsa, Zyra e Rregullatorit për Energji për muajin dhjetor të vitit të kaluar ka pranuar 57 ankesa.

Qytetarët janë shprehur të mllefosur për faturat e muajit të fundit 2023. Sipas tyre, të njëjtat fatura nuk kanë ardhur në mënyrë të drejtë, pasi siç thonë ata, nuk kanë konsumuar energji elektrike për shumën e faturuar.

Për këtë çështje edhe Kuvendi i Kosovës, sot (e enjte) do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme mbi çmimin e energjisë elektrike, me kërkesë të partive opozitare, të cilat kërkojnë uljen e çmimit të energjisë dhe largimin e bllok-tarifave.

Qytetarja Xhevrie Saliuka shprehet e mllefosur me shumën e lartë të faturës së rrymës për dhjetor. Ajo paralajmëron ankesë në KESCO për shkak se, siç thotë ajo, nuk ka konsumuar energji elektrike aq sa i është faturuar. Sipas saj, 100 euro shtesë që ka ndarë Qeveria ‘janë të njëjtat që duhet t'i paguajnë faturat’.

Edhe qytetari tjetër Ladi Murraj ankohet se çmimet e rrymës gjatë muajit dhjetor kanë qenë të larta. Ai teksa ishte duke pritur te KESCO, thotë se gruaja e tij kishte hyrë për të paguar dhe për të kërkuar sqarime, pasi sipas tij, çmimi është i lartë.

Ankesa për çmime të larta ka edhe Nexhat Xharra, sipas të cilit rryma për muajin dhjetor ka qenë dyfish më e lartë se nëntori po ashtu i vitit të kaluar.

Ndërkaq, nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë bërë të ditur se numri i ankesave për faturat e muajit dhjetor të vitit të kaluar është gjithsej 57.

Po ashtu kanë sqaruar se cilat janë procedurat dhe ankesat. Në njoftimin e ZRRE-së thuhet se konsumatorët duhet ta marrin përgjigjen nga KESCO e pastaj të drejtohen në ZRRE.

“Numri i ankesave të pranuara për faturat e muajit dhjetor 2023 është 57. Në përputhje me procedurën për zgjidhjen e ankesave në Sektorin e Energjisë, të gjithë konsumatorët, të cilët kanë ankesa në lidhje me shërbimet e ofruara nga furnizuesi apo operatorët e sistemit, fillimisht duhet t’i paraqesin këto ankesa te furnizuesi përpara se të kërkojnë shqyrtim nga Rregullatori. Çdo furnizues apo operator i sistemit është i detyruar t’u përgjigjet të gjitha ankesave të konsumatorëve, në mënyrë efikase dhe të drejtë”, thuhet në përgjigjen nga ZRRE.

Të njëjtit shtojnë se do të shqyrtojnë çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat e parapara në procedurën për çështjen e ankesave në sektorin e energjisë.

"Pas pranimit të përgjigjes nga furnizuesi, konsumatorët mund të parashtrojnë ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit. ZRRE-ja do të shqyrtojë çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat që parashihen në procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e energjisë. Çmimet e aplikuara janë ato të cilat janë vendosur nga Bordi i ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga ZRRE.

KosovaPress lidhur me këtë çështje ka dërguar pyetje edhe te KESCO, por deri në publikimin e këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje./E.Krasniqi/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
2,014
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024