Osmani: Korporata “Speeex” hapi mijëra vende pune e kontribuoi për rritjen ekonomike
Lajme
Lexohet për: 4 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të martën ka vizituar korporatën “Speeex” në Prishtinë ku u njoftua me punën që bëhet në këtë kompani gjigante. Aty u prit nga kryeshefi ekzkutiv i “Speeex”, Fikret Murati, ku pa nga afër hapësirat nga ku operon korporata. Osmani me këtë rast deklaroi se “Speeex” ka krijuar me mijëra vende të reja të punës, që sipas saj, kanë pasur ndikim të madh në rritjen ekonomike të Kosovës.

Ajo theksoi se Kosova ka potencial të madh për investime dhe ligje të favorshme për investitorë. 

“Kosova vërtet për një kohë të gjatë ka pasur nevojë për shembuj të jashtëzakonshëm dhe inspiruese siç është “Speeex” në Kosovë, një biznes që në radhë të parë ka dhënë shumë kontribut për atdheun, duke parë biznese të cilat kanë pasur suksese në Zvicër dhe janë kthyer në Kosovë. E dyta duke i dhënë shembull rinisë se kur punohet gjatë, normalisht duhet të arrin majat e suksesit dhe e treta duke krijuar vende të reja të punës me mijëra sosh të cilat rrjedhimisht kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm edhe në rritjen ekonomike të Kosovës”, theksoi ajo.

Osmani tha po ashtu se potenciali për investime në Kosovës është i madh, dhe sipas saj, ligjet e aplikueshme sa i përket mbrojtjes së investitorëve janë më të mira sesa në vendet e rajonit.

“Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme sot të dëgjojmë për sukseset të cilat vërtet frymëzojnë dhe në të njëjtën kohë të shohim se kontributi i të gjithë i atyre nga Zvicra dhe shumë të tjerave në Kosovë nuk po përfundon thjesht me krijimin e vendeve të reja të punës dhe me suksese të jashtëzakonshme por edhe me platformën dhe projektin “Eksplor Kosova” e cila ka për qëllim që t’i bind edhe shumë të tjerë nga Zvicra, Gjermania dhe shtetet e tjera ku kemi mërgata të suksesshme dhe të madhe që të kthehen në atdheun e tyre dhe të kontribuojnë. Në Kosovë potenciali për investime vërtet është i madh, kushtet qoftë ato në kontekst të ligjeve të aplikueshme sa i përket mbrojtjes së investitorëve janë shumë më të mira sesa në vendet e tjera të rajonit. Por, mbi të gjitha nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa dashuria për Kosovën, që kanë dëshmuar shumë të rijnë dhe të reja këtu në “Speeex”, me vetë faktin që secilin që e takuam sot ishin shumë të kënaqur me punën e tyre dhe kontributin e tyre. Me të vërtetë jep inspirim për qytetarët tanë dhe në veçanti për gjeneratat e reja”.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i “Speeex”, Fikret Murati duke falënderuar presidenten Osmanin për vizitën, u shpreh se potenciali më i madh i Kosovës është rinia. Teksa shtoi se është koha e artë për shoqërinë tonë.

“Faleminderit shumë presidente për vizitën tënde jemi shumë krenar që jeni sot këtu prezent tek ne. Është koha e artë për shoqërinë tonë mendoj që potenciali nuk është shfrytëzuar krejtësisht, kemi shumë potencial të madh sidomos rinia jonë. Kështu që po shpresojmë për vite të mira, po vazhdojmë punën të palodhshme e të ndershme”, theksoi Murati.

“Speeex” është një korporatë globale e përvojës së klientit të kanalit Omni që ofrojnë shërbime të jashtëzakonshme biznesi të shkathët. “Speeex” ofron trajtim të personalizuar të klientit për bizneset fillestare. Me kalimin e viteve, kjo kompani ka arritur të shërbej si një partner i besueshëm "outsourcing" për kompanitë në të gjithë spektrin e sektorit duke projektuar dhe ofruar klientë me cilësi të lartë. Kështu, duke u bërë kompania më e madhe BPO në Republikën e Kosovës me mbi 1500 punonjës në 4 qendrat e tyre shumëgjuhëshe./A. Zogaj

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024