KMDLNJ për arrestimin e Dakajt nga policia serbe: Autoritetet kosovare të sigurojnë mbrojtje juridike
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së Hasan Dakaj nga autoritetet serbe derisa po shkonte drejt Italisë.

Autoritetet serbe në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë arrestuan dje ish- ushtarin e UÇK-së, Hasan Dakaj nga Prizreni, teksa para katër vjetëve ishte arrestuar, po me këtë pretekst edhe Nezir Mehmetaj, i cili ende mbahet në burgjet e Serbisë.

Në një reagim për media, KMDLNJ kërkon nga autoritetet kosovare të sigurojnë mbrojtje juridike dhe përkrahje materiale për familjen e të arrestuarit gjatë vizitave tek anëtari i arrestuar dhe gjatë qëndrimit në Serbi.

KMDLNJ thotë se autoritetet kosovare, në pamundësi të sigurojnë përkrahje për të arrestuarit, shqiptarë dhe shtetas të Kosovës, mjaftohen me deklarata publike politike duke kërkuar ndihmë nga ndërkombëtarët, të cilët zbatojnë standarde të dyfishta - interesohen për serbët e arrestuar në Kosovë dhe jo për shqiptarët e arrestuar në Serbi.

KMDLNJ thotë se autoritetet kosovare duhet të kërkojnë nga ndërkombëtarët, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të vizitojë të arrestuarit, shtetas të Kosovës nëse iu respektohen të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria.

Nëse sigurohen kushtet, KMDLNJ shpreh gatishmëri që në çdo kohë të vizitojë të arrestuarit, shtetas të Kosovës që mbahen në burgjet e Serbisë, nga pozita e monitoruesit të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria.

“Prania e monitoruesve gjatë mbajtjes së të arrestuarve në qendrat e ndalimit sikur edhe gjatë gjykimit krijon siguri më të madhe për personat e privuar nga liria dhe një proces gjyqësor më të drejtë dhe më transparent”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ përkujton se disa herë kishte kërkuar që të gjithë ata që mund të arrestohen të mos udhëtojnë nëpër Serbi, aq më parë që kanë shumë mundësi tjera udhëtimi.

“Kush ka dëgjuar, ka kaluar më mirë. Kush nuk ka dëgjuar është përballur dhe po përballet me procese gjyqësore që edhe po zgjasin shumë sikur që janë të kushtueshme materialisht. Për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Serbinë, autoritetet kosovare nuk kanë mundësi të sigurojnë mbrojtje efektive juridike e as të monitorojnë trajtimin e tyre gjatë mbajtjes në arrest, qoftë në paraburgim, qoftë gjatë vuajtjes së dënimit”, thotë KMDLNJ.

Ndryshe, pas njoftimit mbi arrestimin e Hasan Dakajt, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar Zyrën e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-së dhe atë të Britanisё sё Madhe nё Serbi, duke bërë thirrje që të ndërmarrin hapa konkretë për lirimin e tij.

Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, ka paralajmëruar se do t’u paraqesë kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar ambasadorin Jetish Jashari që ta vizitojё Hasan Dakajn, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Kosovёs tё njoftohet konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet atij nga organet serbe.

Policia serbe arreston ish-pjesëtarin e UÇK-së Hasan Dakajn nga Prizreni • KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024