"ABTA" për herë të parë vendos Shqipërinë në listën e 10 vendeve për t'u vizituar
Shoqata e turoperatorëve dhe udhëtimeve "ABTA" ka përfshirë Shqipërinë në listën e 10 destinacioneve që u sugjeron qytetarëve britanikë për të udhëtuar gjatë 2024-ës.
Në raportin e fundit "10 Destinations to Watch in 2024" që ABTA ka lansuar, me qëllim për të frymëzuar, informuar dhe prezantuar trendet e udhëtimit për këtë vit, për herë të parë listës i është shtuar edhe Shqipëria, njofton Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë.
"Jo më larg se dje mora një e-mail nga drejtuesit e shoqatës së turoperatorëve, të kompanive turistike, agjencive të udhëtimit, të kompanive fluturimi britanike “ABTA” që është shoqata më e madhe me aktivitetet rreth 70-vjeçar, të cilët më njoftuan se në raportin e fundit që kanë nxjerrë dje në Britani, në 10 destinacionet që sugjerohen për vitin 2024 dhe më tej, një prej tyre është Shqipëria. Është kënaqësi, por edhe sfidë dhe një përgjegjësi shumë e madhe që Shqipëria të jetë një nga 10 vendet e sugjeruara nga një gjigant britanik, besoj se është një sukses i shqiptarëve dhe Shqipërisë që na rrit më shumë”, bëri me dije sot në konferencën për mediat mbi prioritetet e turizmit dhe mjedisit për vitin 2024, ministrja Mirela Kumbaro.
ABTA është një prej shoqatave më të njohura të turoperatorëve britanikë me 70 vjet eksperiencë që grumbullon mbi 8000 kompani turistike britanike.
Gjatë vitit 2023 Shqipëria ka qenë në një fokus intensiv të titujve promovues nga mediat britanike si BBC një trend që po vazhdon edhe në ditët e para të 2024-ës nga media si "Daily Mail" dhe "The Mirror".