Vendet më të preferuara për pushime në Evropë, ja kush prin
Turizem
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Turistët evropianë preferojnë më tepër Spanjën për t’i kaluar pushimet verore, sipas faqes Worlds of Statistics në rrjetin social X.

Të dhënat janë bazuar sipas vendeve më të zakonshme ku njerëzit qëndrojnë për kohën e lirë, që nga 2016 deri 2023.

Vendi më i preferuar evropian për pushime verore është Spanja. Ky vend iberik vizitohet nga banorët e dhjetë shteteve të tjera, si Islanda, Irlanda, Britania e Madhe, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Estonia, Gjermania, Danimarka. Po ashtu, një numër i konsiderueshëm spanjollë pushimet verore i preferojnë t’i kalojnë në bregdetin e Spanjës.

Në vendin e dytë renditet Greqia, e cila vizitohet nga turistë të tetë shteteve si Rumania, Moldavia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Armenia. Edhe turistët grekët preferojnë të kalojnë në masë të madhe pushimet në bregdetin e Detit Egje.

Vendin e tretë e ndajnë Kroacia, Italia e Turqia. Kroacia, vizitohet nga turistë të pesë shteteve si Çekia, Hungaria, Sllovakia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina. Po ashtu, njësoj si spanjollët, edhe kroatët në numër të konsiderueshëm preferojnë bregdetin e vendit të tyre për pushime verore.

Italia pret turistë nga pesë shtete si Letonia, Lituania, Polonia, Zvicra e Austria. Njësoj si spanjollët e kroatët, edhe italianët preferojnë që pjesën më të madhe të pushimeve të tyre t’i kalojnë në rivierën italiane. Ndërsa Turqia pret vizitorë nga Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Gjeorgjia, Azerbajxhani, por edhe nga vetë shteti turk.

Një vend tjetër i preferuar për të shijuar pushimet verore është Franca, e cila frekuentohet nga turistë të katër shteteve evropiane: Holanda, Belgjika, Luksemburgu dhe nga vetë turistët francezë.

Është interesante se Portugalia sipas kësaj liste vizitohet më tepër nga turistët vendorë portugezë, njësoj sikurse edhe Qipro dhe Malta, nga turistë qipriotë, përkatësisht maltezë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024