Protesta të reja në Beograd, kërkohet anulimi i zgjedhjeve të 17 dhjetorit
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Mijëra veta protestuan sot në Beograd me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve dy javë më parë, për shkak të akuzave për mashtrime nga partia në pushtet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Në protestën e organizuar nga nisma qytetare joformale "Pro glas", që është formuar nga personalitete të njohura publike, u kërkua që brenda gjashtë muajsh të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe lokale në Serbi. Nisma kërkon së pari ndryshimin e procesit zgjedhor për të krijuar kushte për zgjedhje të drejta.

Disa pjesëmarrës thanë se po protestojnë kundër padrejtësive që ndodhen në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Përkrahësit e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, pohojnë se parregullsitë u identifikuan edhe nga vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, përfshirë ato për Beogradin. Disa politikanë të opozitës ndodhen në grevë urie.

Protestës iu bashkuan edhe grupet e studentësh të cilët për 24 orë mbajtën të bllokuara disa rrugë në kryeqytetin serb duke kërkuar që autoritetet të hapin listat e votuesve, pas pretendimeve se shumë njerëz që nuk jetojnë në Beograd kanë votuar atje.

Opozita i kërkoi javën e kaluar Bashkimit Evropian të hetojë rezultatet e zgjedhjeve pasi vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se votimet u mbajtën në kushte të padrejta.

Hetimin e procesit të zgjedhjeve ka kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të cilët kanë bërë thirrje për bashkëpunim të autoriteteve serbe me misionin e OSBE-së, për t’iu dhënë përgjigje mangësive në proceset  demokratike.

Protestat, që zakonisht fillojnë në orët e mbrëmjes, u përshkallëzuan fundjavën e kaluar kur një grup pjesëmarrësish u përpoqën të hyjnë me forcë në ndërtesën e bashkisë së Beogradit. Në përpjekje për t’i ndaluar, policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për shpërndarjen e tyre.

Pushteti ka mohuar të ketë pasur keqpërdorime të votave, pavarësisht kritikave nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe atyre lokalë të zgjedhjeve. /VoA

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
488
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024