HuffPost rendit Tiranën si një nga destinacionet 2024
Turizem
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Gazeta “HuffPost”, e ka renditur kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, si një nga destinacionet e vitit 2024.

Artikullin, e postoi edhe kryeministri Edi Rama, në rrjetin social Facebook.

Synimi i këtij shkrimi, është drejtimi i shumë udhëtarëve drejt vendeve më pak të njohura.

“Vit pas viti, udhëtarët amerikanë dynden drejt destinacioneve si Parisi, Kankun dhe Londra. Ndërsa këto vende janë të njohura për një arsye, ka shumë vende të tjera në zhvillim për të tërhequr më shumë turistë në të ardhmen”, shkruan HuffPost.

Sipas sugjerimeve të tyre, “një vend si Tirana është një destinacion ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe”, duke shpresuar që më shumë udhëtarë do të vizitojnë vende si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, në një arsye më shumë për të mos u përballur me dyndje turistësh.

“Shumica e njerëzve ende nuk e kanë zbuluar atë, por fluturimet dhe infrastruktura turistike janë në përmirësim, dhe ka më pak turma në krahasim me destinacionet në trend evropian si Italia, Greqia apo Portugalia,” tha Laura Lindsay, eksperte e tendencave të udhëtimit global në Skyscanner.

“Plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare dhe kostoja më e lirë e jetesës e bëjnë atë një destinacion të shkëlqyeshëm për verën. Shqipëria ka qytete historike për t’u eksploruar dhe një skenë festivalesh në zhvillim, me ngjarje që zënë vendin e tyre në të gjithë kalendarin muzikor botëror”, shkruhet në artikull. /tch

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024