PDK bojkton fjalimin e Osmanit, Tahiri tregon arsyet e këtij vendimi
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në fjalimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, e paraparë të fillojë nga ora 11:00.

Në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri renditi disa arsye se pse po e bojktojnë fjalimin e Osmanit. Ai tha se presidentja fatkeqësisht ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit dhe se si presidente ka heshtur edhe atëherë kur do të duhej ta ngriste zërin.

“Zonja Osmani si presidente që në krye të herës e ka braktisur rolin unifikues që do të duhej ta kishte sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanëshmeri të thellë politike ndaj pushtetit dhe nënshtrim ndaj Albin Kurtit. Fatkeqësisht në rreth tri vite të mandatit të saj si presidente nuk shquhet për asnjë nismë të vetme, as në raport me gratë e as në raport me grupet e tjera shoqërore”, është shprehur Tahiri.

Deputeti i PDK-së thotë se Vjosa Osmani si presidente, gjithashtu ka heshtur edhe ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i qasjes destruktive të kryeministrit Kurti në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe procesin e dialogut në veçanti.

Ai vlerëson se edhe këtë vit ajo do të mbahet mend vetëm për gjuhën e saj jo unifikuese, polarizuese dhe përçarëse por edhe si shërbëtore e përkushtuar e Albin Kurtit dhe pushtetit të saj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024