Shoqata e të Drejtave të Pacientëve letër Kurtit, kërkon hapa konkretë drejt reformave në shëndetësi
Shëndetësi
Lexohet për: 5 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti në të cilën kërkohen të ndërmerren hapa konkretë për reformat në sistemin e shëndetësisë dhe sigurimet shëndetësore.

Në Ditën ndërkombëtare të mbulimit universal me shërbime shëndetësore, Shoqata e të drejtave të Pacientët në Kosovë rikujton kryeministrin Kurti se qe nga takimi i fundit që ata kishin më 12 dhjetor 2019 e deri më tash, shumë pak është vepruar në drejtim të sigurimeve shëndetësore për qytetarët.

“Qeveria sot as nuk është duke e bërë ndonjë matje rreth nivelit të mbulimit të popullatës me shërbime dhe as të nivelit të mbrojtjes nga risku financiar. Sot nuk kemi të dhëna se sa janë nevojat e paplotësuara me kujdes shëndetësor dhe as se sa janë shpenzimet katastrofike të qytetarëve në marrjen e këtyre shërbimeve”, thotë Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vërehet se për një periudhë pesëvjeçare, shërbimet në kujdesin parësor kanë rënë për mbi 20% ose rreth një milion vizita mjekësore më pak, ndërsa shërbimet stomatologjike kanë rënë për trefish apo mbi 60%. Kjo, sipas Shoqatës, tregon se rritja e buxhetit për shëndetësi nuk po ndikon në përkrahjen e qytetarëve në marrje të shërbimeve.

“Qytetarët ose po drejtohen kah sektori privat dhe barrën e shërbimeve po e marrin vet, ose po heqin dorë nga marrja e shërbimeve, po vazhdojnë jetën me një shëndet më të lig e mbase po lëngojnë e edhe vdesin në heshtje, pa i hetuar sistemi”, thuhet në letrën e Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Për më tepër, Shoqata e të Drejtave të Njeriut konsideron se sistemi shëndetësor sot në Kosovë, lëngon nga mos zbatimi i ligjeve.

“Sado që Ligji për Shëndetësi e kërkon një Sistem të Integruar të Informimit Shëndetësor (SIISh), Kosova akoma vazhdon të mos e ketë një të tillë. Kjo edhe e pamundëson krijimin e një pasqyre të besueshme rreth gjendjes shëndetësore të popullatës në Kosovë. Për më keq, në këtë gjendje Kosova nuk mundet as të bëjë krahasime me vendet tjera. Sado që Ligji për Shëndetësi kërkon mbikëqyrje të institucioneve shëndetësore, ajo nuk ndodh, sepse institucionet publike hartojnë raporte që nuk janë sipas standardit të Llogarisë Kombëtare Shëndetësore. Si të tilla, janë të varfra, të pasakta dhe të pakrahasueshme me vendet tjera. Institucionet private nuk raportojnë dhe nuk ka të dhëna se çka ndodh në atë sektor. Sado që Ligji kërkon që të gjitha institucionet të jenë të licencuara, sektorin publik e kemi të pa licencuar. Këtu nuk po zbatohet as Ligji, e as rekomandimi i Avokatit të Popullit për t’i licencuar institucionet publike shëndetësore,” thotë Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë.

Sipas Shoqatës, reformat në sistemin e shëndetësisë po e pengojnë implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, ku ende pa hyrë në fuqi ky ligj ka nisur ndryshimi i tij.

Shoqata del edhe me rekomandimet e saj në lidhje me reformimin në sektorin e shëndetësisë.

“Dita 1 për reformën do të jetë kur të fillojnë institucionet shëndetësore të fusin të dhëna në SIISH. Dita 2 për reformën do të jetë kur do të publikohet raporti vjetor i punës dhe shpenzimeve të sistemit shëndetësor sipas modelit të rekomanduar nga OBSH. Dita 3 do të jetë hartimi i Paketës përfituese dhe kostimi i saj. Pas definimit të paketës përfituese do të duhej të fillojë pilotimi i saj që normalisht do të duhej të zgjaste jo më pak se 3 e jo më shumë se 5 vjet. Brenda kësaj periudhe do të duhej të kryheshin edhe shumë punë të tjera si rregullimi i regjistrit civil, rregullimi i trungut familjar, riorganizimi i institucioneve shëndetësore, hartimi i listave të pacientëve – përzgjedhja e mjekut familjar, licencimi i institucioneve publike shëndetësore, themelimi i Këshillit të pacientëve. Çdo aktivitet i shpalosur në skenë me pompozitet se “Këto janë sigurimet”, na bënë të dyshojmë se qasja ndaj reformës është joadekuate. Ne e patëm vlerësuar shumë krijimin e Komisionit Ekzekutiv për shëndetësi, pasi që parakushtet që u përmenden më lartë për të filluar në sigurim shëndetësor të mirëfilltë, shkojnë shumë përtej Ministrisë së Shëndetësisë, prandaj duhet të ketë një gjithëpërfshirje në këtë drejtim. Është dekurajuese pse ai Komision nuk e ka vazhduar punën”, përfundon letra.

25 vjet çlirim, a jeni të kënaqur me suksesin e Republikës së Kosovës ?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
346
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024