“Republika e rakisë”, promovohet pija tradicionale shqiptare
Turizem
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Rakia, kjo pije tradicionale shqiptare, po promovohet në mënyrë krejt të veçantë, si një pije që e identifikon vendin tonë, por që i shërben edhe turizmit.

Një nismë e bashkisë së Tiranës bëri bashkë pranë Piramidës prodhues të rakisë, të cilët ekspozuan produktet e tyre, por edhe diskutuan për mënyrat se si mund ta promovojnë atë duke forcuar ura të bashkëpunimit.

“Njihet si pije e lirë, por realisht, rakia ka goxha vlera, qoftë historike, qoftë edhe vlera tradicionale, por duhet të jetë e kontrolluar. Produkti përfundimtar të jetë i shëndetshëm për konsumatorin dhe jo i dëmshëm”, thotë Flori Uka.

“Shqipëria ka potenciale për të prodhuar raki dhe tamam ajo pija që ne duhet ta promovojmë, sepse na identifikon. Shqiptarët kur bëjnë një dhuratë, dhuron një raki shqiptare, të dhuron një verë shqiptare, një produkt shqiptar, një djathë shqiptar, pra, të jepet pjesa sa më e mirë e konsumimit të një produkti të mirë shqiptar gjithmonë”, shprehet Rigers Kacorri.

Ata që e vlerësojnë më shumë këtë produkt janë të huajt ose shqiptarët që nuk jetojnë më këtu, por vijnë si vizitorë.

Ngjarja “Republika e Rakisë” priti vizitorë për të degustuar produktet e ekspozuara. Po ashtu u zhvilluan edhe forume, ku njohës dhe ekspertë të fushës diskutuan për çështje që lidhen si me prodhimin, por edhe me tregtimin e këtij produkti tipik shqiptar. /ATSH/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024