Banorët e fshatit turistik të preferuar nga Rita Ora, thonë se izolohen me javë nga ngrica
Bota
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Fshati panoramik skocez duket si rezorti i përkryer i dimrit me lumin e ngrirë dhe majat e zbardhura të maleve në distancë, por rezidentët ankohen se shpesh mbesin pa sinjal radio, vetëm me një dyqan të vogël ushqimesh dhe me tuba të ngrirë uji në shtëpi.

E përditshmja britanike The Sun shkruan se fshati mund të duket i parëndësishëm, por në fakt është një strehë sekrete për të famshëm si Rita Ora apo anëtarë të familjes mbretërore.

600 rezidentët e përhershëm të Braemar në rajonet malore të Skocisë, përballen tashmë me sfidat e motit të ngrirë teksa temperaturat kanë rënë deri në -20Cs.

Por me rritjen e kostove të energjisë disa prej familjeve të zonës thonë se mbeten me zgjedhjen e vështirë mes të ngrohurit apo të blerjes së ushqimeve.

84 vjeçari John Peoples, thotë se ka vetëm ngrohës të kushtueshëm elektrikë në shtëpinë mes parkut kombëtar Cairngorms.

“Tani ngroh vetëm njërën dhomë. Nuk më leverdis të ngroh të gjithë shtëpinë sepse çmimet e energjisë janë bërë qesharake”, thotë ai.

Edhe gjyshi vetmuar John thotë se përballet me Krishtlindjet e para vetëm, çka vështirëson financat e tij.

John thotë se bashkia kërkon t’i heqë oxhakun e tij me qymyr, si pjesë e ‘lëvizjes ekologjike’, por veterani i ushtrisë ka refuzuar deri tani duke përmednur kushtet e vështira dhe izolimin.

Ai shton: “Kemi qenë disa javë krejt të izoluar, por nuk ankohem, ne dëshirojmë vetë të qëndrojmë këtu, pak vështirësi nuk na bën dëm”.

“Është hera e parë që jam i ve në këtë kohë, dhe në fakt disa të rinj na ftuan në një darkë Krishtlindjesh në fshat por refuzova, sepse më pëlqen vetëm”.

Në fshatin panoramik Braemar tashmë nuk ka sinjal radio dhe as supermarket, përveç një kioske ushqimore.

Edhe në fund të vitit 2015, fshati u izolua nga dëbora dhe komuniteti u detyrua të bashkohej për t’u kujdesur për njerëzit më në nevojë.

Komuniteti është pranë rezidencës mbretërore britanike Balmoral dhe tërheq turistë e persona të famshëm si – Rita Ora e cila ka qëndruar në hotelin e vetëm The Fife Arms.

Në atë rast Rita Ora shkruante në Instagram: “Kalova një kohë të mrekullueshme në Skoci … dhe do të kthehem shumë shpejt.”

Por në mesin e dimrit vendi kthehet në një qytet fantazmë teksa moti i ftohtë largon vizitorët, ndërsa rritje e kostove të energjisë detyron banorët të paguajnë më shumë se 10 paundë në ditë për ngrohje.

Shumica e bizneseve në Braemar janë sipërmarrje të vogla familjare, kryesisht të mikpritjes dhe restoranteve. Kjo bën që vendasit të bëjnë dy ose tre punë njëherësh për të siguruar jetesën. //TheSun/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024