Protesta e NJSI, Sveçla: Kemi bërë maksimumin brenda mundësive tona
Lajme
Lexohet për: 6 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës së sotme të Njësitit Special Intervenues, duke thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në përmirësimin e kushteve të punës për policinë dhe sipas tij që nga marrja e mandatit është rritur buxheti 30 për qind.

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe njësitë tjera, protestuan sot para ndërtesës së qeverisë së Kosovës, me kërkesën për kushte më të mira të punës.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, paraqiti 14 kërkesa që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve për pjesëtarët e policisë, si veshmbathje, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore, duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete si dhe pajisje të tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

Ndërsa në reagimin e tij, ministri Sveçla thotë se tashmë është shtruar një rrugë e drejtë dhe e sigurt e ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa.

“Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë”, shkruan Sveçla në Facebook.

Kjo është protesta e dytë brenda 40 ditëve të këtyre njësive të cilët po ashtu kërkojnë rishikimin e pagesës për shkallën e rrezikshmërisë në punë.

Qeveria e Kosovës vendosi që Njësive të Posaçme Ndërhyrëse t’u ndajë nga 150 euro shtesë për shkak të rrezikshmërisë, por kjo shtesë po kundërshtohet duke kërkuar që të rritet shuma e rrezikshmërisë në punë 25 deri në 50 për qind e pagës bazë.

Protestojnë policët për kushtet e punës dhe mirëqenie - KosovaPress

Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

Republika e Kosovës ka ekonominë dhe buxhetin me të cilin adreson nevojat e shtetit dhe shoqërisë.

Me to, me gjithë arritjet e viteve të fundit duhet të mbulohen e trajtohet gjithçka dhe çdokush.

Ndërkohë që ka shumë kategori shoqërore që edhe brenda tyre, por edhe krahasuar njëra me tjetrën, më parë janë trajtuar në mënyrë jo të barabartë.

E gjithë përpjekja jonë është që me mundësitë që kemi të ulim pabarazinë edhe brenda profesionit edhe mes profesioneve të ndryshme.

Në qasjen tonë, paga asnjëherë nuk ka qenë e shkëputur nga kushtet e tjera të punës që përbëjnë një aspekt esencial të trajtimit të punëtorëve të secilit sektor, ndër këta sigurisht edhe Policia e Kosovës.

Ritheksoj se për Policinë e Kosovës nga marrja e mandatit tonë deri sot e kemi rritur buxhetin për 30%, ndërkaq në investime kapitale rritja është prej 300%.

Buxheti për pajisje operacionale ka qenë më pak se gjysmë milioni, ndërkaq sot është mbi 9 milionë euro apo 21-fish më shumë.

Bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit përmes së cilës të gjitha shërbimet shëndetësore në të gjitha rajonet e Kosovës, do të ofrohen për zyrtarët policorë me prioritet dhe pa asnjë pagesë.

Me marrjen e mandatit nga ne Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

Si Ministri e Punëve të Brendshme për detyrë e kemi të mendojmë e përkujdesemi për tërësinë dhe kështu duke u lëshuar në secilën prej 9 agjencive ekzekutive e pastaj trajtim specifik për njësitë përbrenda secilës agjenci veç e veç, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë reale dhe qasjen e drejtë.

Sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim sepse kjo formë përveçse e dëmshme del të jetë gjithnjë e pamundur.

Asnjë sakrificë të popullit shqiptar në histori, të asnjë individi nuk do të mund ta shpërblejmë për ta barazvlerësuar sepse jeta është e paçmueshme. Ajo nuk ka çmim. Asnjë çmim, asnjë shpërblim nuk do të jetë i barazvlefshëm, asnjëherë, me jetën porse ky është angazhimi ynë për vendin.

Gjatë kësaj kohe së bashku kemi bërë shumë punë të mira në drejtim të luftimit të krimit, korrupsionit e kontrabandës, pavarësisht se nga gjyqësori s’është se jemi ndihmuar shumë. Veçanërisht kemi shtrirë integritetin, sovranitetin dhe sigurinë në veri të vendit.

Nuk besoj që ka pagë që do të na nxiste ta bënim këtë, por kemi bërë maksimumin që përbrenda mundësive tona të trajtojmë secilin njësit të Policisë së Kosovës ashtu siç e meriton.

Kam qenë shumë i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën do ta gjejmë sigurinë në Republikën e Kosovës dhe gjendjen e mjerueshme në aspektin infrastrukturoro-financiar Policinë e Kosovës, por me shumë punë e angazhim, pavarësisht secilës sfidë, kemi bërë punë të mira e do të vazhdojmë të bëjmë.

Të gjithë së bashku kemi shtruar një rrugë të drejtë e të sigurt të ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa.

Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë.

Ne nuk do të ndalemi. Sepse ne jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024